Japoni: I riu që vrau 4 persona dënohet me vdekje

107
fresco

Një gjykatë japoneze ka dënuar me vdekje autorin e vrasjes së katër persona në një sulm me armë zjarri dhe thikë në vitin 2023, duke hedhur poshtë pretendimin e mbrojtjes se ai vuan nga skizofrenia.

Masanori Aoki, tani 34 vjeç, goditi me thikë dy gra që po shëtisnin në qytetin Nakano dhe më pas qëlloi me pushkë gjahu dy policë që mbërritën në vendngjarje pas një telefonate emergjente.

Dhuna me armë zjarri është e rrallë në Japoni, ku ligjet për armëmbajtjen janë shumë të rrepta. Edhe më e rrallë është që të qëllohen disa oficerë policie njëherësh, incidenti i fundit i tillë kishte ndodhur më shumë se 30 vite më parë.

Mbrojtja argumentoi se një dënim me burgim të përjetshëm do të ishte më i përshtatshëm për Aokin, i cili sipas tyre ka “aftësi të kufizuara” për shkak të skizofrenisë. Prokurorët pranuan se Aoki kishte përjetuar iluzione, por argumentuan se ai i kishte kryer vrasjet në një shpërthim zemërimi dhe kishte qenë në gjendje të dallonte të drejtën nga e gabuara në atë moment.

Ata shtuan gjithashtu se Aoki kishte treguar “egërsi dhe ftohtësi të jashtëzakonshme”, sipas Japan Times.

Sipas The Mainichi, Aoki ishte veshur me uniformë kamuflazhi, kapelë, syze dielli dhe maskë, dhe kishte sulmuar gratë sepse besonte se po flisnin keq për të. Nuk është e qartë nëse ai i njihte ato.

Pas sulmit, Aoki u fsheh në shtëpinë e prindërve të tij në qytetin Nakano për 12 orë përpara se të dorëzohej te policia. Babai i tij, Masamichi Aoki, është kryetar i asamblesë së qytetit.

Para arrestimit të Masanori Aokit, banorëve iu kërkua të qëndronin në shtëpi, ndërsa autoritetet lokale shpërndanin njoftime me email dhe përmes altoparlantëve të lagjes, ndërkohë që policia trokiste derë më derë.

Japonia ka rregulla shumë të rrepta për posedimin e armëve dhe lejon vetëm qytetarët të zotërojnë pushkë gjahu dhe armë ajri. Për të blerë një armë në Japoni, individët duhet të kalojnë një provim dhe teste të shëndetit mendor.

Pas vrasjeve të katërfishta, autoritetet e ashpërsuan ligjet për ta bërë më të vështirë zotërimin e pushkëve të gjahut si ajo që përdori Aoki.

Këto rregullore të rrepta janë edhe arsyeja pse incidente si ky, dhe vrasja me armë e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe, janë kaq tronditëse.

Comments