Jemi pro mbylljes së deponive, por vendimi për Nikushtakun është i njëanshëm dhe i pajustifikueshëm

Menaxhimi i mbeturinave dhe prania e deponive ilegale vazhdojnë të jenë një nga sfidat më të mëdha për Komunën e Likovës. Mbyllja e fundit e deponisë në fshatin Nikushtak e ka përkeqësuar situatën në terren, duke rritur shqetësimet si të banorëve, ashtu edhe të autoriteteve lokale.
Në lidhje me këtë çështje, në emisionin “Debat me Fakte” foli kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për Komunën e Likovës, z. Erkan Arifi, i cili njëkohësisht është edhe kryetar aktual i komunës.
Z. Arifi sqaroi se mbyllja e deponisë në Nikushtak nuk është bërë me vendim të Qeverisë, por nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, përmes një urdhërese jo të ligjshme dhe jo administrative. Sipas tij, kjo urdhëresë nuk është dorëzuar as në Komunën e Likovës dhe as në ndërmarrjen komunale “Pisha”, që merret me menaxhimin e mbeturinave në territorin e komunës.
“Kjo urdhëresë është sjellë me një qëllim të vetëm – bllokimin e funksionimit të ndërmarrjes komunale ‘Pisha’, e cila është e vetmja që kujdeset për grumbullimin dhe trajtimin e mbeturinave në komunën tonë,” theksoi Arifi.
Ai shtoi se komuna është në parim pro mbylljes së deponive, por vetëm nëse paraprakisht krijohen kushtet e nevojshme për menaxhimin alternativ të mbeturinave, përmes vend-depozitimeve të reja apo zgjidhjeve të tjera të qëndrueshme.
Sipas Arifit, ky veprim është selektiv dhe i padrejtë, pasi:
“Në nivel shtetëror ekzistojnë 82 deponi të ngjashme me atë të Nikushtakut, por urdhëresa është lëshuar vetëm për këtë fshat. Kjo është e papranueshme dhe e pashpjegueshme,” u shpreh ai.
Për këtë arsye, Komuna e Likovës ka ankimuar zyrtarisht këtë vendim pranë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me kërkesën që rasti të trajtohet me seriozitet, objektivitet dhe drejtësi.