Eurodeputetja sllovene me origjinë nga Maqedonia, Irena Joveva, tha se vendi ynë ka bërë përparim, edhe pse jo aq sa Mali i Zi, dhe se vlerësimi i Komisionit Evropian është “tepër i përgjithshëm”.
“Mendoj se nuk është e drejtë që Maqedonia e Veriut të vendoset në të njëjtin nivel me Serbinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën kur flitet për progresin në rrugën evropiane”, deklaroi për MIA eurodeputetja sllovene Irena Joveva.
Duke komentuar vlerësimet për avancimin e vendeve të rajonit, ajo theksoi se Mali i Zi dhe Shqipëria, veçanërisht Mali i Zi, janë më përpara në aspektin e reformave.
“Edhe pse nuk dua të dukem sikur po kritikoj komisioneren evropiane Marta Kos ose Komisionin, mendoj se nuk është plotësisht e drejtë të thuhet se jemi, nëse mund ta them kështu, në të njëjtin “thes” me Serbinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën”, tha Joveva, e cila është pjesë e grupit liberal “Rinovo Evropën”.
Ajo thekson se një vlerësim kaq i përgjithshëm është veçanërisht i padrejtë “kur dihet çfarë po ndodh në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe sidomos në Serbi”.
Sipas saj, edhe pse Maqedonia e Veriut mund të mos ketë përparuar aq sa Mali i Zi, ajo ka arritur rezultate që duhet të theksohen qartë, në vend që të jepen vlerësime shumë të përgjithshme.

