“Jugohrom”, përtej afateve për vendosjen e filtrave
Kombinati metalurgjik Jugohromi, për të disatën herë ka kapërcyer afatin për vendosjen e filtrave. Ndonëse drejtori i përgjithshëm Vasko Skendrovski pati paralajmëruar se punimet do të fillonin më 25 qershor, në terren nuk është ndërmarr ende asnjë aktivitet. Oxhaqet e Jugohromit vazhdojnë të tymosin, ndërsa është rritur edhe sasia e grimcave helmuese PM10 në ajër, 5 herë nga masa e lejuar.
“Ekipi i televizionit Alsat tentoi që të merr prononcim edhe nga drejtuesit e Jugokromit, nëse ka filluar që të punohet diçka rreth vendosjes së filtrave megjithatë, për dallim nga herët e kaluara kur ne kishim qasje brenda, sot nuk na u lejua një gjë e tillë”.
Në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë, kombinati metalurgjik i Jugohromit deri më 31 tetor duhet të vendos filtrat. Nga sektori civil paralajmëruan protesta nëse shpërfillet edhe ky afat. Madje masat e tyre këtë radhë do të jenë më radikale me bllokim të plotë të fshatit Jegunoc. Arianit Xhaferi nga organizata EcoGuerrilla, hedh dyshime për afera korruptive të qeverisë me kombinatin.
“Kjo vetëm e dëshmon dyshimin tonë që kemi hedhur para ca kohe se mund të ketë afera korruptive të qeverisë me Jugohromin. Arsyeja se përse qeveria po e mbron Jugohromin dhe i jep afate njëra pas tjetrës edhe përkundër faktit se ata nuk kanë realizuar asgjë nga plani operativ po e dëshmon këtë gjë. Mendojmë se gjatë kësaj fushate do duhet të shpërngulemi edhe në fshatin Jegunoc, ku shikojmë mundësinë për ta bllokuar fshatin, për të bllokuar kamionët dhe gjitha mjetet e mëdha që e furnizojnë Jugohromin me lëndën e parë”, deklaroi Arianit Xhaferi, EcoGuerilla.
Para dy muajsh, vet drejtori gjeneral i Jugohromit Vasko Skenderovski, për Alsat deklaroi se janë siguruar të gjitha lejet dhe dokumentacioni për të filluar punët rreth vendosjes së filtrave.
“Planin e patëm që punët tona ndërtimore ti fillojmë diku me datë 15 qershor, por mendoj se diku kah 20 apo 25 qershori do fillojmë me punët ndërtimore edhe zyrtarisht sepse tanimë kemi nënshkruar edhe kontratat për realizimin e atyre punëve ndërtimore”, tha Vasko Skenderoski, drejtor gjeneral i Jugohromit.
Nga sektori civil iu bënë thirrje autoriteteve për zgjidhjen urgjente të çështjes së Jugohromit, pasi me afrimin e dimrit problemi me ndotjen e ajrit rëndohet më shumë.