Juristë, ekonomistë, aktorë, mjekë.. Përbërja e re parlamentare do të ketë profile të llojllojshme

156

Juristë, ekonomistë, aktorë, mjekë.. Përbërja e re parlamentare do të ketë profile të llojllojshme

Juristë, ekonomistë, aktorë, mjekë.. Përbërja e re parlamentare do të ketë profile të llojllojshme të deputetëve. Se kush ku do të ulet, do të dihet më së voni deri para 31 dhjetorit.

Përveç kuadrove të njohur për opinionin siç janë Spasovski, Shilegov, Sheqerinska, Llokvenec, Pendarovski, Mançevski dhe Deskovska, interesat e LSDM-së dhe të opozitës së bashkuar do t’i mbrojnë edhe kuadrot e rinj të socialdemokratëve, respektivisht Nikollovski, Kiracovski, Bogoev dhe Boçvarski.

Këtu bën pjesë edhe Pavle Bogoevski, lideri joformal i “Revolucionit të Larmë” dhe Ivana Tufegxhiq. Ndërkaq, për herë të parë, mundësi për përfaqësues në Kuvend kanë edhe egjiptianët përmes profesorit Rubin Zemon. Sa i përket VMRO-DPMNE-së, përveç bashkëpunëtorëve të vjetër të liderit Nikolla Gruevski, siç janë ministrat Poposki, Todorov, Kançeska-Milevska dhe Peshevski, në përbërjen e re parlamentare, ngjyrat e kësaj partie do t’i mbrojnë edhe mjekë siç është Andon Çibishev, vmroisti i vjetër Boris Zmejkovski si dhe kryetari i të rinjve të DPMNE-së, Vlladimir Nelloski.

Kurse pjesë e parlamentit do të jetë edhe Johan Tarçullovski, i cili për një pjesë të qytetarëve të Maqedonisë është hero i konfliktit të vitit 2001, e për pjesën tjetër kriminel lufte.  Për herë të parë në Kuvend do të dëgjohet edhe zëri i mbështetësve të organizatës qytetare “AVAZ”, Zeqir Ramçilloviq, i cili do t’i mbrojë interesat e boshnjakëve në Maqedoni. Nga ana tjetër, te BDI-ja befasia më e madhe është shqiptari ortodoks Branko Manojlloski.  Kurse pjesa tjetër e deputetëve të ardhshëm të BDI-së janë veçmë emra të njohur të kësaj partie. Zulfi Adili i njohur si komandat “Qufa”, Zijadin Sela dhe Vesel Memedi do të përfaqësojnë votuesit e Koalicionit “Aleanca për Shqiptarët”.

Mbrojtje të interesave të shqiptarëve të Maqedonisë ka premtuar edhe lëvizja BESA, e cila deri më tani ka siguruar 5 mandate:  Teuta Bilalli, Afrim Gashi, Arben Llabenishta, Bilall Kasami dhe Fadil Zendeli. Sipas rezultateve të para të KSHZ-së që nuk janë akoma definitive, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja ka fituar 51 mandate, Koalicioni i LSDM-së 49, BDI-ja 10, lëvizja BESA 5, Aleanca për Shqiptarët 3 mandate, kurse PDSH-ja vetëm dy mandate.

Comments