
Juventus dhe Barcelona janë përballur në fushë të mërkurën në mbrëmje, ndeshje e vlefshme për javën e pestë të Champions League (0-0 rezultati final). Takimi i radhës mund të zhvillohet në merkato, duke parë se, sipas “elogodigital.com”, drejtuesit katalanas janë gati të hidhen në sulm për një prej lojtarëve më të mirë të Massimiliano Allegri-t: Miralem Pjanic. 27-vjeçari, i transferuar te bardhezinjtë në verën e 2016-ës për 32 milionë euro nga Roma, është kthyer në një “gjeometër” për torinezët, duke udhëhequr mesfushën e “Zonjës” dhe duke e ndihmuar të fitojë titullin, Kupën e Italisë dhe një pjesëmarrje në finalen e Champions League. Pavarësisht ndryshimit të skemave, Pjanic arrin gjithmonë të gjejë vend mes titullarëve të Allegri-t.
Emri i boshnjakut është përmendur edhe të kaluar për një transferim të mundshëm te Barcelona, por në fund nuk ka ndodhur asgjë. Ndërkohë, pavarësisht rinovimit, 33-vjeçari Andres Iniesta po shkon drejt fundit të karrierës së tij të jashtëzakonshme dhe trajneri Ernesto Valverde ka nevojë për lojtarë të nivelit të lartë, për ta zëvendësuar ose për t’i dhënë mundësi që të marrë pak frymë në momente të caktuara. Për këtë arsye, sipas portalit spanjoll, trajneri i ka kërkuar klubit Miralem Pjanic, me drejtuesit katalanas që kanë vendosur të sakrifikojnë Andre Gomes për të bindur bardhezinjtë. Portugezi 24-vjeçar ka qenë prej disa vitesh në shënjestrën e bardhezinjve, por ka pak mundësi që italianët të heqin dorë nga Pjanic.