Kacafyten Ostreni dhe Adili, inate dhe përçarje

249

Riaktualizohen përçarjet brenda koalicionit Aleanca për Shqiptarët, i cili tashmë është një subjekt politik.

Siç njoftoi dje Lëvizja për Reforma në PDSH, e cila tashmë quhet me emrin e koalicionit parazgjedhor, është marrë vendimi zyrtar që LR PDSH të quhet Aleanca për Shqiptarët, por pa theksuar nëse në këtë parti do të shkrihen edhe dy parnerët parazgjedhor të koaliconit. Por, kryetari i “Unitetit”, Gëzim Ostreni kundërshton ashpër riemërimin e LR PDSH-së në Aleanca për Shqiptarët duke kujtuar se subjekti i tij dhe RDK-ja i janë bashkuar koalicionit si parti të veçanta e jo me idenë që të shkrihen në një parti të vetme, dhe këtë tani e quan si goditje me thikë pas shpine.

“Ne po të ishim shkrirë do të ishim shkrirë që në fillim, e nuk do të bënim koalicion. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët ka tre parti, ku përveç LR PDSH-së bën pjesë edhe Uniteti dhe RDK-ja. Uniteti dhe RDK nuk pajtohen të shkrihen dhe të bëhen një parti, dhe nuk pranojnë që ai emër të përdoret për një prej këtyre tre subjekteve për shkak se do të shfrytëzohej puna që e bëmë gjatë fushatës”, thotë Gëzim Ostreni, kryetar i UNITETIT

Por, nënkryetari i “Unitetit”, Zylfi Adili për televizionin Shenja ka thënë se ky moment është i vjetër pasi qëmoti, Kuvendi qendror i partisë me shumicë absolute ka vendosur pro shkrirjes, dhe kundërshtim ka pasur vetëm kryetari i partisë. Adili ia kujtoi Ostrenit që pushteti i tij nuk është absolut dhe se shumica tjetër kanë pranuar tashmë shkrirjen.

“Prej fillimit Kuvendi Qendror i Unitetit ka qenë me këtë qëndrim. Aleanca për Shqiptarët si një subjekt politik u themelua me vendim të dy kuvendeve të dy subjekteve politike. Edhe degët edhe Kuvendet e kanë marrë këtë qëndrim. Shumica absolute është me këtë qëndrim, dhe më vjen shumë keq që Gëzim Ostreni nuk e respekton këtë. Ai e dinë këtë punë shumë mirë”, thotë Zylfi Adili, nënkryetar i UNITETIT
Por, Ostreni siguron që nuk ka patur as Kongres e as mbledhje të kryesisë qendrore për të diskutuar mbi këtë temë, dhe nuk pranon faktin që subjekti i tij ka gjasa të shuhet, duke marrë parasysh përçarjet e mëdha. Ai siguron që të shpejti partia e tij do të rifreskohet dhe do të filtrojë ata që tashmë kanë kaluar në partinë e re Aleanca për Shqiptarët.

“Kongresi është mbajtur një vjet e ca, ose para dy vjetëve gati dhe tani do të mbahet një kongres tjetër dhe do të vendos për këtë që po ndodhë. Jo për shkrirjen e Unitetit por do të bëjë një konsolidim të ri meqë një pjesë e anëtarëve me vullnetin e tyre e kanë lëshuar partinë…Ata kanë sjellë vendim veçmas që të shkrihen”, thotë Ostreni.

“Aleanca për Shqiptarët është tashmë subjekt politik. Ata që duan ti bashkangjiten janë të mirëseardhur, e ata që nuk duan nuk kemi çfarë t’u bëjmë”, thotë Adili.
Nga RDK-ja e Vesel Memedit nuk treguan qëndrimin lidhur me shkrirjen e koalicionit Aleanca për Shqiptarët. Edhe pse tentuam të vihemi në kontakt me Memedin, përgjigjej vetëm sekretaresha e operatorit të tij telefonik.

Comments