Kampioni i parë olimpik shqiptar: Historia nuk mund të shkruhet brenda një minute… Ndenja 24 orë pa gjumë për të prekur finalen e madhe

197

 

thumbs_b_c_65d50a46df3f3d355df9bb62b55f066d

Kampioni i parë olimpik shqiptar nga Maqedonia, Shaban Tërstena, është shprehur se historia nuk mund të shkruhet brenda një minute, por për ta shkruar atë nevojitet punë intensive dhe përkushtim.

Mundësi Tërstena, duke i rrëfyer çastet dhe sukseset në Olimpiadë në intervistën për Anadolu Agency, theksoi se është ndarë me sukses nga shumë turne në të cilat ka marrë pjesë me “zero” kushte, siç janë Lojërat olimpike, kampionatet botërore dhe ato evropiane.

Tërstena rrëfeu se për të marrë pjesë në përvojën e parë olimpike në vitin 1984 në Los Angeles është dashur të humb 12 kg nga pesha trupore dhe se për këtë ka ushtruar në mënyrë intensive. Ai shtoi se ka arritur të bëhet pronar i medaljes në moshë rinore, 19-vjeçare, duke tejkaluar shtatë kundërshtarë të fuqishëm, mes të cilëve amerikanë, japonezë dhe turq.

Po ashtu, Tërstena tregoi se disa e kanë quajtur “fat” suksesin e tij.

“Në vitin 1980 SHBA-të dhe disa shtete i bojkotuan Lojërat Olimpike që u mbajtën në Moskë. Edhe Bashkimi Sovjetik i bojkotoi më pas Lojërat Olimpike të cilat u mbajtën në vitin 1984 në Los Angeles. Dhe, prandaj thuhej se suksesi im erdhi për shkak të mospjesëmarrjes së rusëve në vitin 1984. Megjithatë, mund të them se kjo gjë nuk luajti rol aspak. Sukses vazhdova të tregoj edhe në Olimpiadën e vitit 1988”, u shpreh Tërstena.

Duke e rrëfyer ndeshjen kundër kundërshtarit nga India, ndeshje kjo e cila e çoi drejt finales në vitin 1984, Tërstena rrëfeu se kishte qëndruar 24 orë pa gjumë për ta mposhtur kundërshtarin në kohë prej një minuti e 20 sekondash.

Tërstena tha se respekti për sportistët është shumë i rëndësishëm dhe se është shpërfillur kur është shpallur kampion olimpik.

Kur u ktheva nga SHBA-të, as 20 persona nuk dolën të më presin. Shumica e tyre ishin nga familja ime. Njësoj, e njëjta ndodhi edhe pas katër viteve kur u ktheva nga Seuli. Kemi qenë tërësisht të diskriminuar atë kohë”, theksoi Tërstena.

“Majlinda Kelmendi është sportiste e vërtetë”

Tërstena potencoi se xhudistja nga Kosova, Majlinda Kelmendi ka arritur një sukses të madh duke i sjellë Kosovës medaljen e parë në Lojërat Olimpike në Rio de Zhaneiro të Brazilit.

“Unë jam shqiptari i parë që ka fituar medaljen e artë në Olimpiadë. Por kjo nuk do të thotë se do vazhdojë kështu çdo herë. Çdo herë thoshin se nuk do të lind askush t’i tejkalojë sukseset e Shabanit. Një kohë shumë të shkurtër pas shpalljes së pavarësisë, Kelmendi i sjell vendit të saj medaljen e parë. Kjo është dy herë krenari, sepse i tregon botës se edhe femrat shqiptare mund të jenë kampione olimpike. Megjithatë, do t’i presim Olimpiadat e ardhshme që të shohim ndonjë mashkull të bëhet kampion. Atë e kam përcjellë dhe e dija se do të fitojë. Nuk është një sportiste me reklama dhe me fjalë. Por, ka qenë e vërtetë dhe e tregoi këtë”, thotë Tërstena për AA.

Duke u shprehur se atij nuk i është ofruar rast për të nxjerrë sportistë që do të kurorëzoheshin me sukses, Tërstena tha se nëse të rinjtë duan të tregojnë sukses në ndonjë fushë, atëherë punën që e bëjnë duhet ta duan “me shpirt”.

“Nëse e doni ‘me shpirt’, atëherë suksesi nuk mungon. Megjithatë, mos prisni që suksesi të vijë brenda natës. Duhet punë deri sa të bëheni kampion olimpik”, tha ai.

Kush është Shaban Tërstena?

Shaban Tërstena u lind në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, më 1 janar të vitit 1965. Në Olimpiadën e vitit 1984 në Los Angeles fitoi medaljen e artë në kategorinë 52 kilogram, ndërsa katër vite më vonë në Olimpiadën e Seulit në vitin 1988 fitoi medaljen e argjendtë po ashtu në kategorinë 52 kilogram. Krahas këtyre, Tërstena ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror në vitin 1982 dhe medaljen e artë në Kampionatet Evropiane në vitin 1984 dhe 1990.

Comments