Një grup femrash në Kanada ka vendosur që të mbajnë shami në kokë përgjatë një muaji të tërë, në mënyrë që të solidarizohen me muslimanet e vendit.
Në kuadër të ditës botërore të hixhabit (World Hijab Day), që në Kanada shënohet nga viti 2014, në qytetin Fort McMurray janë organizuar një sërë aktivitetesh të cilat kanë tërhequr vëmendjen e opinionit vendas.
Organizatorja e eventit në Fort McMurray, Kiran Malik Khan, theksoi se shtatë kanadeze të cilat kuptuan domethënien e kësaj dite, vendosën që të mbajnë shami në kokë, si shenjë përkrahjeje për gratë muslimane.
“U gëzuam nga dëshira e shprehur e tyre për të mbajtur mbulesë në kokë. Shamitë i vendosën në fillim të muajit dhe do ti mbajnë për 30 ditë”, tha Khan, e cila shtoi më tej se grave u është sqaruar mënyra e mbajtjes së shamisë, sepse siç tha, bëhet fjalë për një element fetar.
Kanadezja Vanessa MacMahon është njëra nga gratë e cila ka vendosur të mbajë shaminë në kokë, ndërkohë që duke rikujtuar sulmin mbi xhaminë në Quebec ditë më parë, tha se secili ka të drejtë të praktikojë fenë e tij.
“Pas sulmit në xhaminë në Quebec City në janar të këtij viti, mu shfaq dëshira për të vënë një shami në kokë. U vranë muslimanët të cilët ishin duke u lutur në xhami. Kjo nuk duhet të ndodhë në vendin tonë, por edhe askund tjetër”, tha kanadezja.