Bllokimi i kanalizimeve në ndërtesa dhe shtëpi shpesh herë ka shkaktuar përmbytje dhe dëme të mëdha në këto të fundit. Gjatë ndërhyrjes së ekipeve për pastrim nga “Ujësjellësi dhe kanalizime” janë hequr gjësende të ndryshme, që paraprakisht janë hedhur në guacën e banjës. Qytetarët thonë se ka banorë të pandërgjegjshëm që kanalizimin e shfrytëzojnë si kosh mbeturinash. Madje shumë prej tyre janë detyruar ta ndërrojnë banesën për shkak të përmbytjeve të shpeshta nga kanalizimi.
“Te unë ka ndodhur dy-tre herë. Dikush ka rikonstruar banjën dhe mbetjet i ka hedhur në guacë, çfarë të them tjetër”.
“Kisha shumë probleme kur jetoja në Çair, isha në katin përdhes dhe prej lart çfarë nuk hidhnin dhe kanalizimi vazhdimisht bllokohej. E gjithë banesa u vërshua, i tërë parketi u shkatërrua”.
Përveç në kanalizim, gjëra të ndryshme hidhen edhe në pusetat e rrugëve. Madje gjatë pastrimit të tyre janë hequr biçikleta për fëmijë, lloje të ndryshme të batanijeve dhe plastikave.
“Fatkeqësisht shahtet po i vjedhin, kur po vjen uji po bartë qese najloni, po bart letra edhe po i bllokon shahtet. Po shahtet po i vjedhin për ti shit, prej varfërisë”.
“Unë jam afër në rrugën kryesore, ato shahte që i kam afër i kontrolloj, mbeturina të llojllojshme hedhin aty. Ato gjëra nuk duhet ti bëjmë, duhet të jemi pak të kujdesshëm”.
Drejtori i Ujësjellësit, Dushko Veskovski iu bëri thirrje qytetarëve që të mos hedhin që sende në kanalizim. Sipas tij, ekipet e kësaj ndërmarrjeje për çdo ditë kryejnë mbi 10 intervenime për hapje të kanalizimeve dhe pusetave.
“Për dallim nga rrjeti i ujësjellësit e cila është e mbyllur hermetikisht dhe nuk mund të futeni brenda, kanalizimi ka pjesë të veçanta ku janë të vendosura puseta të posaçme që të mund të hyjnë punëtorët dhe ti pastrojnë ato gjëra që shkaktojnë problem. Supozoj ose të them njerëz të pandërgjegjshëm i kanë hapur këto puseta dhe direkt në to kanë hedhur sasi më të mëdha të sendeve shtëpiake ose gjërave që ju kanë penguar në shtëpi, thjesht i kanë hedhur në kanalizim- deklaroi Dushko Veskovski, drejtor i Ujësjellësit dhe kanalizimit
Gjithashtu, nga Ujësjellësi apelojnë edhe për mos vjedhje të kapakëve të pusetave për shkak se hapja e tyre paraqet rrezik për çdo banor, posaçërisht për fëmijët. Vetëm gjatë vitit 2018 për kapakë të vjedhur të pusetave dhe rrjet metalik, ky institucion ka shpenzuar rreth 2 milionë denarë.
Melihate Rustemi