Kandidimi i shqiptarëve në listat e LSDM-së, Ramadani: Zbehen pritjet e shqiptarëve; Ibraimi: Pritjet reale, sipas politikave të LSDM-së

192

Analistët politik janë të ndarë sa i përket përfaqësimit të  shqiptarëve në listat për deputetë të LSDM–së.

Ismet Ramadani thotë se janë zbehur pritjet e shqiptarëve, pasi janë kandiduar vetëm dy emra edhe përkundër premtimeve për politikë pro-shqiptare të liderit opozitar, Zoran Zaev. Sipas Ramadanit, realizimi i synimeve të tyre do të jetë më i vështirë, përfshirë këtu edhe rrëzimin e regjimit të Gruevskit.

“Pritshmëria e Zaevit, por në këtë rast edhe e shqiptarëve pak a shumë, është zbehur, sepse me dy deputetë që do të fitojnë në këto zgjedhje në listën e LSDM-së, çështjet që kanë të bëjnë për një opsion, për një koncept të paramenduar, do të shkojnë pak më vështirë. Do të ishte më mirë të koaliciononte me një parti shqiptare, me një platformë të qartë dhe program të qartë edhe të partisë shqiptare. Atëherë edhe numri i kandidatëve shqiptarë në një koalicion paraprak do të jepte më shumë qartësi se si më tutje do të vepronte ai koalicion me një subjekt shqiptar dhe do të fitohej më shumë në funksion të rrëzimit të regjimit të Nikolla Gruevskit”,- tha analisti, Ismet Ramadani.

Selim Ibraimi thotë se përfaqësimi i ulët i shqiptarëve edhe pritej, pasi është në kuadër të politikave të LSDM-së. Çdo listë me numër më të madh të shqiptarëve do të dëmtonte LSDM-së në raport me VMRO-DPMNE-në. Sipas Ibraimit, më listat e përziera vetëm se rrezikohen partitë shqiptare.

“Çdo listë tjetër zgjedhore më radikale me më shumë shqiptarë do ta dëmtonte vetë LSDM-në në raport me VMRO-në dhe kjo sigurisht që do të ndikonte në përfaqësimin e LSDM-së në një parti aq më të përzier, që do të kishte ndikim në rezultatet zgjedhore. Mendoj që partitë politike shqiptare duhet t’i adresojnë çështjet e votuesve shqiptarë shumë më seriozisht, pasi, siç po shihet, partitë politike maqedonase po depërtojnë shumë lehtë tek elektorati shqiptar”,- theksoi analisti, Selim Ibraimi.

Të dielën, LSDM e Zoran Zaevit publikoi listat e deputetëve që do të garojnë në gjashtë njësitë zgjedhore. Në njësinë e dytë, i treti në listë figuronte gazetari, Muhamet Zeqiri, ndërkaq në njësinë e gjashtë zgjedhore e dyta në listë është profesoresha, Gjylymsere Kasapi.

Comments