Kasami : Ridefinimi do të bëhet realitet pas 11 dhjetorit me fitoren e koalicionit Rilindje me BESË

Sonte Rilindja me BESË ka zbarkuar në Studeniçan për të realizuar takim me banorët e kësaj zone. Para të pranishmëve foli kandidati për deputet në njësinë e parë zgjedhore, Rexhep Memedi, bartësi i listës në njësinë e parë zgjedhore Zeqirija Ibrahimi, si dhe lideri i Lëvizjes BESA, njëherësh bartës liste në njësinë e gjashtë zgjedhore, Bilall Kasami.
Zeqirija Ibrahimi tha se tubimin e parë publik BESA e ka patur në Karshiakë dhe ka kënaqësi të veçantë që sërish foli aty, duke shtuar se “këta oponentët tanë, që nuk do të jenë edhe shumë gjatë në pushtet, po mundohen të shkaktojnë huti duke përmendur UÇK-në. Po ta kishin dashur aq shumë UÇK-në nuk do të lejonin që të vriten dhe arrestohen aq shumë pjesëtarë të UÇK-së dhe nuk do të lejonin që miliona euro të ndahen për mbrojtjen e Johan Tarçullovskit, e nuk do t’i linin fëmijët e dëshmorëve në rrugë. Enveristët i kanë shpallë luftë vlerave shqiptare në Maqedoni, por do të zhgënjehen keq, pasi shqiptarët janë të besës”.
Në fund të pranishmëve u është drejtuar bartësi i listës zgjedhore nga Rilindje me BESË në zonën e gjashtë zgjedhore, njëkohësisht kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami i cili deklaroi se e keqja që VMRO-DPMNE – Bdi po ia bëjnë popullit shqiptarë, nuk mund të durohet më.
“Mund dikush edhe të pyetet pse ne jemi më të mirë dhe pse dikush duhet të na besojë se jemi ata që përfaqësojmë të mirën e shqiptarëve të Maqedonisë? Përgjigjja është shumë e thjeshtë: ne nuk vendosëm të merremi me politikë pse atje ku punonim e kishim keq, por pse s’mund më ta duronim të keqen që regjimi DPMNE-BDI ia bënte popullit tonë. Rilindja me BESË është këtu që përmes platformës sonë të realizohen të drejtat e shqiptarëve, nëse jo nuk i dihet fati i këtij shtetit. Ridefinimi do të bëhet realitet pas 11 dhjetorit me fitoren e koalicionit Rilindje me BESË”, tha Kasami.
