Kastrioti-Partizani, e lehtë në letër por e vështirë në fushë për të kuqtë!

459
fresco

Përballet mbrojtja më e mirë e kampionatit me më të dobtën, vetëm 4 gola ka pësuar Partizani, plot 21 Kastrioti, në tabelën e klasifikimit pikët që i ndajnë janë po 21, një hendek më vete nëse merren parasysh diferencat e vogla të këtij kampionati, por fusha e blertë nuk pasqyron diferencat në letër. E provoi dhe Skënderbeu që fitoi minimalisht me ndonjë vështirësi më tepër përballë krutanëve, diçka që Skënder Gega padyshim ua ka theksuar futbollistëve të tij gjatë këtyre ditëve. Për Partizanin fitorja është obligim dhe ky 90 minutësh kërkon impenjimin maksimal, edhe pse trajneri mund t’i lejojë vetës një minirotacion, ata që thërriten në mision kanë detyrën ta vënë në vështirësi zgjedhjeje me performancën e tyre. Së fundmi është rikuperuar dhe Cardozo, një përforcim i rëndësishëm për fazën sulmuese me trajnerin që mund t’i japë disa minuta që në sfidën e radhës. Stavri Nica nga ana tjetër mbetet ende në kërkim të pikës së parë me Kastriotin, skuadra e fundit të tabelës nuk merr qoftë dhe një barazim prej 6 ndeshjesh në kampionat, por dora e trajnerit të ri ka nisur të ndihet me Kastriotin që kërkon surprizën në një nga ato ndeshje që mbeten në histori, një fitore me Partizanin është padyshim e tillë për një skuadër që nuk ka luksin të luajë çdo vit në Superiore. Objektivi mbijetesë është kompromentuar që në fillim, ndaj Kastrioti nuk ka lluksin për të bërë llogari, i duhet të tentojë pikët sidomos në shtëpi, pavarësisht se luhet në Fushë Krujë, një bazë e rëndësishme e tifozerisë së kuqe, ku dhe Partizani pritet të ketë goxha mbështetje nga shkallët e stadiumit.

Comments