Katalunja përgatitet: E pavarur brenda 48 orësh nga referendumi

292

Katalunja do të shpallë Pavarësinë nga Spanja brenda 48 orësh, nëse votuesit mbështesin referendumin e ndarjes në tetor.

Kështu shkruhet në projektligjin e propozuar nga partitë në favor të mëvetësisë, megjithëse ende është e paqartë nëse do të zhvillohet referendumi.

Gjykata Kushtetuese e Spanjës dhe qeveria konservatore në Madrid kanë bllokuar sfidat e mëparshme ndarëse, e qeveria premtoi se do të ndalojë çdo përpjekje për të zhvilluar një referendum.

Por sipas projektligjit të shkruar nga partitë që mbështesin ndarjen nga Spanja, referendumi do të pyesë katalanasit nëse duan që krahina e tyre, një nga më të pasurat në vend, të bëhet komb i pavarur.

Nëse votuesit mbështetin ndarjen, Pavarësia do të shpallet brenda 48 orësh. Nëse mbështesin qëndrimin si pjesë e Spanjës, do të shpallen zgjedhje të parakoshme për të formuar një qeveri të re rajonale.

Ajo që bie në sy është se, projektligji nuk përcakton një minimun pjesëmarrjeje për të legjitimuar ose jo referendumin, që në raste të tilla është 51%. Në vitin 2014, Katalunja organizoi një referendum jodetyrues ligjërisht për të matur pulsin e popullsisë, e 80% e saj votoi për ndarjen, por pjesëmarrja ishte nën 50%.

Përsa i takon projekligjit të fundit, qeveria e Katalunjës tha se ai do të debatohet gjerësisht javët e ardhshme, por propozimi formal do t’i dërgohet Parlamentit të Katalunjës në fund të gushtit, për të penguar përpjekjet e Gjykatës Kushtetuese për ta bllokuar.

Comments