Katër vjet nga vdekja e Arbën Xhaferit

231

 

arben-xhaferi-1_1471252185-6920776

Sot mbushen 4 vjet pa Arbën Xhaferin, politikanin që me filozofinë e tij politik solli një frymë të re në skenën politike mbarëshqiptare.

Përveç se u dallua si politikan i zgjuar dhe intelektual i përmasave kombëtare, ai u dallua edhe për opusin e pasur të analizave e kolumnave politike, studimeve dhe shkrimeve publicistike, të cilat shquhen për thellësinë e mendimit dhe qasjen intelektuale.

Ai ra në gjendje kome për gati 7 ditë dhe shkak u bë një hemorragji cerebrale në tru, që pati mbrëmjen e 8 Gushtit rreth orës 21:00 në banesën e tij në Tetovë.

Ish kryetari i PDSH-së, Arbër Xhaferi, vuante nga sëmundja e Parkinsonit, që ishte edhe shkak për tërheqjen e tij nga aktivitetet partiake Arbën Xhaferi lindi në qytetin e Tetovës më 24 janar të vitit 1948.

Xhaferi ka qenë deputet i Parlamentit të Maqedonisë që nga viti 1994. Ai synonte krijimin e një sistemi dydhomësh në institucionin ligjvënës. Në kohën e konfliktit të armatosur në vitin 2001, partia e tij ishte në pushtet. Ai është një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, por me zvarritjen e zbatimit të saj, ai synonte një marrëveshje të re midis shqiptarëve dhe maqedonasve.

Xhaferi njihej për opinionet filozofike gjatë paraqitjeve në media dhe është autor i shumë eseve dhe artikujve analitikë, pas tërheqjes nga politika aktive./Gazeta ekspress

Ja kush ishte Arben Xhaferi

Arbën Xhaferi lindi në Tetovë më 24 janar të vitit 1948. Shkollën fillore dhe të mesme e ka kryer në Tetovë, ndërsa studimet për Filozofi i kreu në Universitetin e Beogradit. Pas universitetit ka punuar si gazetar në radiotelevizionin e Prishtinës deri në rrëzimin e regjimit komunist në Jugosllavinë e atëhershme. Me ndryshimet që ndodhën, Arbën Xhaferin nuk e mbante vendi në Prishtinë, miqve të tij të ngushtë, ndër ta ishte dhe Veton Surroi, u tha se do të rikthehej në vendlindje.

Shumë nga shokët e tij nuk e kuptuan këtë vendim të beftë për largimin nga Prishtina, në një qytet më të vogël e të zymtë siç ishte Tetova në atë kohë. Por në kokën e tij, Arbën Xhaferi e kishte vendosur misionin pa marrë parasysh çmimin. Të luftonte fort, me armën e tij, dijen, me pushtetin dhe elitën maqedonase, e cila i cilësonte shqiptarët e prapambetur dhe jo të arsimuar. Por këtë nuk mund ta bënte natyrisht nga një dritare e vogël, por nga “ballkoni”.

Me ndërmjetësimin e Veton Surroit, i kërkoi ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, që ta ndihmonte për të t’u ngritur në drejtimin e Partisë së Prosperitetit Demokratik, e vetmja forcë politike e shqiptarëve në Maqedoninë e fillimviteve ’90. Përpjekja për hyrjen në politikë shkaktoi një ndarje politike, që çoi në themelimin e Partisë Demokratike të Shqiptarëve, ku Arbën Xhaferi u zgjodh kryetar.

Menjëherë në rezervimin e poltronit kryesor te skena maqedonase, nisi zbatimi i planit të vjetër të Arbën Xhaferit. Artikuloi shpejt, por pa u nxituar, tezat dhe idetë e forta për federalizmin në Maqedoni, krijimin e një shteti ku shqiptarët dhe maqedonasit duhet të jenë etnitete shtetformuese. Polemizoi fuqishëm me intelektualët dhe elitën maqedonase dhe kërkoi te krerët e Shkupit që të hartojnë marrëveshjen për rikrijimin e shtetit. Arroganca e nacionalistëve të djathtë çuan në acarimin e situatës, radikalizmin e saj, krijimin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe fillimin e konfliktit të armatosur.

Në skenë doli një grupim i ri politik dhe udhëheqës Ali Ahmetin, që sfidoi politikën e ndjekur nga PDSH-ja. Por Arbën Xhaferi nuk pati dilema dhe nuk ndoqi rrugën e LDK-së në Kosovë. Përkrahu fuqishëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe Hashim Thaçin, punoi ngushtë me Tiranën zyrtare, dhe dy vite më pas, së bashku me Ali Ahmetin, ideoi dhe negocioi Marrëveshjen e Ohrit, që u dha shqiptarëve të drejtën e shtetformimit. Më pas u rikthye në politikën normale, por shëndeti po e sfidonte rëndë.

Që prej kohës kur në Vlorë, ndërsa po pushonte me familjen e goditi sëmundja e Parkinsonit, kalvari i jetës së Arbën Xhaferit do të ishte sfilitës. Por ai nuk u ankua kurrë, nuk rreshti kurrë të shtronte idetë dhe mendimet e tij, të cilat gjithnjë linin shenjë dhe gjenin një konsensus te të gjitha grupet e shtresat. U tërhoq nga politika, por hodhi një ide të fortë, atë të ndarjes së Maqedonisë, pasi bashkëjetesa ishte e pamundur me elitën refuzuese të Shkupit. Por kjo tezë e tij nuk gjeti shumë vend.

Comments