Deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në seancën për demarkacionin të paraparë për sot me fillim prej orës 16:00.
Në një deklaratë për Koha.net, Kelmendi ka thënë se sot nuk mund të marrë pjesë pasi ndihet i kërcënuar. Sidoqoftë, ai thotë se është i lehtësuar pasi koalicioni qeverisës i ka votat e mjaftueshme për ratifikim.
“Sot nuk mundem të marr pjesë, ndërsa qëndrimi im u lehtësua se i paskan siguruar votat. Qëndrimi im varet nga siguria e fëmijëve të mi”, ka thënë Kelmendi.
Ndërkaq shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, mbrëmë deklaroi se kjo parti ka 27 vota pro demarkacionit. Ai kishte kritikuar koalicionin qeverisës që s’po mund të arrijë votat e shumicës për të kaluar tutje këtë çështje.
Koha.net ka provuar të kontaktojë me Hotin, por një gjë e tillë nuk ishte e mundshme.