Keqpërdorimet, ministrat kundërshtojnë raportin e Revizionit (VIDEO)



Ish ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi, thotë se asnjëherë nuk ka shkelur ligjin dhe se të gjitha vërejtjet e revizionit shtetëror janë përmirësuar. Pavarësisht se në raportin e revizionit thuhet se për shumë fonde të shpenzuara në vitin 2015 ministria e Arsimit nuk ka mbulesë, Ademi thotë se të gjitha paratë i ka shpenzuar për qëllime të caktuara.
“Bëhet fjalë për ngjarje dhe aktivitete që MASH i ka realizuar, me vizita të nivelit të lartë të delegacioneve të ndryshme, manifestimet për ditën e alfabetit (22 nëntor), ditës së mësuesit shqiptar, ditës ndërkombëtare të mësuesit, konferenca “ALBSHKENCA” dhe aktivitete të ndryshme që sipas ligjit mund t’i organizojë dhe t’i mbulojë harxhimet ministria. Kujt i pengon organizimi shtetëror i këtyre manifestimeve që kanë të bëjnë me arsimin shqip nuk dua të komentojë, le të vlerësojë opinioni”, tha Abdilaqim Ademi, ish ministër i arsimit.
Ademi shton se përveç drejtuesit, në ministri ka edhe funksionar dhe organe tjera, shpenzimet e të cilëve mbulohen nga buxheti i MASH-it. Edhe ministri aktual Pishtar Lutfiu i cili në raport është përmendur si person përgjegjës, ka të njëjtin qëndrim sikur Ademi.
Revizioni shtetëror në raportin për punën e Ministrisë së arsimit për vitin 2015-të ka vërtetuar keqpërdorim të parave të buxhetit. Në raport theksohet se ky dikaster ka shpenzuar 203 mijë euro që nuk kanë pasur mbulim me dokumentacion përkatës. Është shpenzuar për hotele me pesë yje, restorante dhe udhëtime. Revizori thekson se ministria ka shpenzuar edhe 173 mijë euro para buxhetore për angazhimin e personave për të cilët nuk ka pasur pëlqim nga Ministria e financave, ndërsa një pjesë e tyre njëkohësisht kanë punuar edhe në institucione tjera. Revizioni është zbatuar në periudhën nga 1 deri më 31 mars në kohën kur MASH-i drejtohet nga Pishtar Lutfiu.
ALSAT-M