Kërcënohet me jetë gazetarja e kronikës së zezë, Klodiana Lala, breshëri kallashnikovi ndaj banesës së saj

215

Gazetarja Lala mbulon kronikën e zezë dhe është një zë i fuqishëm kundër krimit në vend. Ajo është dëgjuar në ekrane të ndryshme televizive, teksa flet dhe bën deklarata të forta rreth botës së krimit, duke folur shpeshherë edhe me emra, madje duke nxjerrë dhe detaje të forta mbi ngjarje kriminale, që policia i mban të fshehta.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë mesditë botën mediatike shqiptare, pasi është qëlluar me breshëri automatiku banesa e gazetares së kronikës së zezë, Klodiana Lala. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku janë pikasur shenjat e dhjetë plumbave, të cilët kanë shkaktuar dëme në pjesën e jashtme të banesës dhe kanë krijuar panik te familjarët, por fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Kjo është një ngjarje tejet e rëndë dhe vë në rrezik jetën e gazetarëve, të cilët luftojnë çdo ditë për të vërtetat, për t’iu çjerrë maskën kriminelëve, por që përballen me plumba dhe kërcënime makabre, teksa policia qëndron e heshtur, duke ju dhënë më shumë zemër kriminelëve të sulmojnë të lirë e të vrasin kë të duan.

Bëhet e ditur se në momentin kur banesa është qëlluar me plumba, brenda kanë qenë familjarët e gazetares Lala, dy vajzat e saj të mitura, vëllai dhe prindërit e saj, të cilët janë tmerruar nga të shtënat, ndërsa aty nuk ndodheshin gazetarja dhe bashkëshorti i saj.

Gazetarja Lala mbulon kronikën e zezë në televizionin News 24 dhe është një zë i fuqishëm kundër krimit në vend. Ajo është dëgjuar në ekrane të ndryshme televizive, teksa flet dhe bën deklarata të forta rreth botës së krimit, duke folur shpeshherë edhe me emra, madje duke nxjerrë dhe detaje të forta mbi ngjarje kriminale, që policia i mban të fshehta.

Ky nuk është rasti i parë, kur gazetarët shqiptarë bien pre e dhunës apo kërcënimeve të hapura për jetën, pasi kohët e fundit janë regjistruar një sërë ngjarjes të tilla kriminale, që dëshmojnë se jeta e atyre që përballen çdo ditë me krimin është tepër e rrezikuar, si dhe nxjerr në pah vështirësitë e këtij profesioni të lënë në harresë dhe tërësisht të pambrojtur në vendin tonë.

Comments