Kërcënon Moska, Medvedev: Rusia mund të nisë sulme bërthamore ndaj Francës e Britanisë, nëse pajisin Kievin me…
Një sulm bërthamor ndaj objektivave në Ukrainë, si dhe në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, do të konsiderohej i ligjshëm dhe i justifikuar, në rast se Londra dhe Parisi i ofrojnë Kievit aftësi bërthamore, tha zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë Ruse Dmitry Medvedev në Max, duke komentuar raportet e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) në lidhje me plane të tilla nga dy vendet evropiane.
Sipas Medvedevit, ky informacion “e ndryshon rrënjësisht situatën”. “Ky është një transferim i drejtpërdrejtë i armëve bërthamore në një vend në luftë”, tha ai. “Nuk ka asnjë fije dyshimi se në këtë rast, Rusia do të duhet të përdorë të gjitha armët, përfshirë ato bërthamore jo-strategjike, për të goditur objektiva në Ukrainë, që përbëjnë një kërcënim për vendin tonë”, theksoi ai.
“Dhe nëse është e nevojshme, edhe në vendet furnizuese, pasi ato bëhen bashkëpunëtore në konfliktin bërthamor me Rusinë”, shtoi Medvedev. “Ky është përgjigja proporcionale për të cilën Rusia ka të drejtë”, përfundoi ai.
Më parë, SVR raportoi se Londra dhe Parisi besojnë se pozicioni negociues i Kievit mund të përmirësohet nëse ai merr një “Wunderwaffe”, që në gjermanisht do të thotë “armë mrekullie”. Kryeqytetet evropiane e konsiderojnë atë si bomba bërthamore ose të ashtuquajturat bomba të ndyra.
Sipas agjencisë ruse të inteligjencës, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar po punojnë në mënyrë aktive për një transferim të fshehtë të komponentëve, pajisjeve dhe teknologjive të prodhuara në Evropë në Ukrainë, duke përfshirë një kokë luftarake të vogël franceze nga një raketë balistike e lëshuar nga nëndetësja./ Tass.

