Kërkohet zbardhja e fatit të 1,648 personave të zhdukur
Me moton “Marsh për ata/o që ende mungojnë! Për të vërtetën! Për drejtësi”, është duke u mbajtur marshi me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur , i cili po organizohet nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.
Në këtë marsh i cili filloi nga sheshi “Zahir Pajaziti”, po marrin pjesë qindra qytetarë të cilët mbajnë në duar emrat e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ndërkaq, edhe 19 vjet pas përfundimit të luftës, familjarët kërkojnë më shumë se 1,648 persona ende të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
Përfaqësues nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj si dhe nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, të shtojnë përgjegjësinë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
“Po përballemi me mohimin e të vërtetës dhe për drejtësi. Secili person i pagjetur ka një identitet dhe nuk janë numra. Ky marsh ka për qëllim të ngris vetëdijen dhe në të njëjtën kohë përgjegjësinë shoqërore për të kërkuar të vërtetën për të pagjeturit. Është përgjegjësi e jona që të ngrisim zërin për këta persona. Nga ky shesh sot dhe çdo ditë tjetër i bëjmë thirrje kryeministrit dhe Komisionit Qeveritar për Persona e Zhdukur, për të shtuar përgjegjësitë e tyre për personat e pagjetur aq më shumë kur dialogu me Serbinë ka hyrë në fazën finale. Kjo është një thirrje për presidentin si udhëheqës i këtij dialogu që po vendos në krye agjendës çështjen e personave të pagjetur. Do të vazhdojmë të kërkojmë llogaridhënie”, ka thënë përfaqësues nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.
Edhe Gramos Berisha, i mbijetuari i masakrës së Suharekës ka kërkuar që fati i personave të pagjetur të kthehet në prioritet, të punohet në gjetjen e tyre.
“Ndonëse nguroj ndonjëherë t’i quaj të vrarë ngase disa prej ende nuk dihen se ku janë. Bashkë me familjarët e tjerë të personave të pagjetur kërkojmë nga shteti i Kosovës, që ta kthejnë në prioritet dhe të punojnë në zbardhjen e fatit të tyre pa kompromise. Çështja e personave të pagjetur pos që nuk është futur në dialogun Kosovë – Serbi. Bëj thirrje që të gjithë ta ngrisin zërin për personat e pagjetur”, ka thënë i Berisha.
Ndërkaq, emrat e personave të pagjetur të cilat i mbanin familjarët e tyre, janë vendosur në një kuti të zezë të cilat më pas do iu dërgohen kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj. /Telegrafi/