Këshilli Opozitar: Partitë, e sidomos LSDM, të mos tallen me votuesit shqiptarë
Këshilli Opozitar u bënë thirrje katër partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos, “e veçanërisht LSDM-së, të mos tallen me votuesit shqiptarë dhe të shpjegojnë si u bë që, nga 300 mi votuesit e dyshimtë për të cilët u tha se VMRO-DPMNE i përdorë për t’i falsifikuar zgjedhjet, e tëra përfundoi me rreth 30 mi votues të dyshimtë, edhe atë kryesisht shqiptarë dhe oponentë të BDI-së!?“.
Këshilli Opozitar thekson se pa iu përgjigjur kësaj pyetje dhe pa mos e tërhequr këtë listë “të turpshme, të kinse votuesve të dyshimtë, e që siç duket ka për qëllim zvogëlimin e numrit të votuesve shqiptarë, nuk do ketë zgjedhje të lira e të ndershme në Maqedoni”.
“Edhe nëse nuk tërhiqet kjo listë, e cila tregon marrëveshjen e fshehtë mes katër partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos për eliminimin e votuesve shqiptarë, me ne krye ata që nuk do e votonin BDI-në, ne si Këshilli Opozitar do i bëjmë thirrje popullit shqiptarë në Maqedoni që t’i bojkotojë zgjedhjet e ardhme, qofshin ato të parakohshme apo të kohshme vendore apo parlamentare”, thonë nga Këshilli Opozitar.