Këshilltari i Thaçit: Kurti e shkarkoi Veliun për t’i futur duart në dhomën e përgjimeve
Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami në një status në Facebook ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka shkarkuar ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun për t’u futur në dhomat e përgjimeve.
Ai ka shkruar se Kurti këtë e ka bërë për t’i organizuar militantët e VV-së që të hyjnë nëpër institucione e t’i fusin duart nëpër dokumente zyrtare.
Ky është postimi i plotë i Behramit:
Tash qytetarët e kuptuan arsyen e vërtetë të shkarkimit të Agim Veliut. Kurti e bëri Ministër të Brendshëm, Xhelal Sveçlën, për t’i futur duart kundërligjshëm në dhomat e përgjimeve.
E bëri për t’i organizuar militantët e Vetëvendosjes, pa qenë ata pjesë e institucioneve, që kundër ligjeve, rregullave dhe praktikave demokratike të hyjnë nëpër institucione për t’i futur duart edhe nëpër dokumente zyrtare.
Albin Kurti dhe Vetëvendosje në 100 ditët e fundit asnjëherë nuk janë marrë me përfaqësimin e interesave të qytetarëve të Kosovës, por me ringritjen e tyre, pas rënies në Parlament.