KFOR përgënjeshtron Serbinë rreth dronëve nga Kosova: S’KA PROVA!
Forcat paqeruajtëse të KFOR-it kanë reaguar lidhur me raportimet se dronë nga Kosova janë futur në territorin e Serbisë.
“Për momentin nuk kemi asnjë provë për atë që raportojnë mediat. Ne do t’ju përditësojmë nëse kemi ndonjë informacion në lidhje me”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për “Indeksonline”.
Nga ana tjetër, përfaqësues të Qeverisë së Ana Bërnabiqit, konkretisht, ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq, ka deklaruar se “nuk mund të thotë se dronët e kujt kanë fluturuar dje mbi zonën e Merdares dhe rrethinës së Rashkës, por se kanë ardhur nga Kosova”.
Ai pretendoi se “janë vërejtur disa dronë, se ka pasur lëvizje të ndryshme, por aeroplanët MIG-29 nuk po patrullonin për shkak të dronëve”.
Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lëshoi një urdhër zyrtar të martën, me të cilin kërkoi që të asgjësohen të gjithë dronët e kualifikuar nga ai si “armiqësorë”, e që futen në territorin e Serbisë.
Vuçiqi vendosi të marrë hapa pas një incidenti në zonën mbi Merdar në kufi me Kosovën dhe në afërsi të Rashkës.
Kurse, ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Albin Kurtit, Armend Mehaj, ka dalë dje me një reagim ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq lidhur me lëvizjen e dronëve të panjohur nga territori i Kosovës mbi vendbanimin e Rashkës.
Mehaj ka deklaruar se këto pretendime janë plotësisht të pavërteta, dhe çfarëdo diskursi i tillë është vetëm pretekst për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Kosovës, që sipas tij, janë si mjet për përhapjen e një gjendje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve.
“Fillimisht për tentim kthimin e vëmendjes në një temë që nuk është më brengë e qytetarëve të Serbisë, të cilët tashmë kanë pranuar realitetin e ri të shtetit të Kosovës, dhe pakënaqësitë e tyre kanë të bëjnë më tepër me mirëqenien e tyre nën udhëheqjen e Vuçiq sesa me rezultatet e dialogut”.
“Dhe së dyti, tentim destabilizimin e Republikës së Kosovës përmes ngjalljes së frikës tek komuniteti serb, qytetarët tanë, për gjoja masat e dhunshme që priten të ndërmerren nga ana e institucioneve të qeverisë, tek të gjithë ata që përdorin targa ilegale të Serbisë, e të cilat u’a rikujtojmë se janë të tilla, ilegale, pasi janë në kundërshtimin me marrëveshjen e derivuar nga dialogu në mes të dyja palëve, si dhe në kundërshtim me vendimin e qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 28.10.2022, në të cilin është vendosur që procesi i regjistrimit të këtyre mjeteve në targa RKS të bëhet i shkallëzuar në tre faza, deri në përmbylljen e këtij procesi legal dhe legjitim me datë 21 prill 2023”, ka thënë Mehaj në rrjetin social Facebook. /Indeksonline/

