
Dy persona nga fshati Simnicë e Gostivarit, pasi që janë hospitalizuar në spitalin e Gostivarit, të njëjtit pas përkeqësimit të gjendjes së tyre shëndetësore transferohen menjëherë për në Spitalin Klinik në Shkup.
Dy personat të cilët kanë qenë edhe anëtarë të një familje, dyshohet se janë infektuar nga një sëmundje ngjitëse, të cilën sëmundje mjekët e quajnë sëmundje fibrile.
Të hënën ndërroi jetë babai, ndërsa sot djali i tij 24 vjeçar. Mjekët thonë se kjo sëmundje bllokon qarkullimin e gjakut, vështirëson sistemin e frymëmarrjes dhe ndërpret funksionimin e veshkave, ku si pasojë personat e infektuar rrezikohen të humbin jetën.
Vdekja e 24 vjeçarit jozyrtarisht dhe sipas informatave të para që dalin nga Spitali i Gostivarit ka ndodhur si pasojë e kafshimit nga rriqrat.
“Për dy pacientët në fjalë punohet për një sindromë infektive, më konkretisht me gjendjen afebrile, me temperaturë dhe disfunksion të disa organeve. Më tepër ishte i atakuar sistemi i funksionit renal, funksioni hepatik dhe kishte disfunksion të sistemit të kuagullimit. Pacienti i parë dhe i dyti nuk janë trajtuar në klinikën e Gostivarit menjëherë, duke e parë gjendjen e tyre të rënd shëndetësore, janë përcjellë në Klinikën infektive dhe në moment janë hospitalizuar dhe ka vazhduar trajtimi dhe diagnostifikimi i mëtutjeshëm në Klinikën infektive”,- theksoi një mjek shqiptar në Shkup.
Drejtori i Spitalit të Gostivarit, Ylber Ademi, konfirmon se pacienti ishte pranuar dje në spital dhe pas terapisë fillestare është hospitalizuar në Klinikën infektive të Shkupit.
“Bëhet fjalë për pesë raste, defakto katër raste, se rasti i parë ka shkuar direkt në Shkup, tre raste tjera janë të sodit, do të thotë se kanë ardhur me simptomologji të ngjashme, por me fotografi klinike më të dobët. Sipas simptomalogjisë me të cilën u paraqit edhe kryeshefi i infektologjisë, ankesat e atyre kanë qenë me të vjella, barkëqitje, ethe, dikush ka qenë me temperaturë dikush s’ka qenë, mirëpo analizat laboratorike kanë treguar se kemi devijim të pasqyrës së gjakut”,- u shpreh drejtori i spitalit të Gostivarit, Ylber Ademi.
Në Klinikën infektive në Shkup janë shtruar edhe katër persona të tjerë me simptoma të ngjashme nga i njëjti fshat. Drejtori Milenkovski theksoi se nuk ka vend për panik, pasi që infeksioni nuk është i nivelit për të shpallur ndonjë epidemi.

