KMDLNJ: Seancë e kotë për lirimin e Thaçit



Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut konsideron se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës lidhur me arrestimin e Nehat Thaçit nuk do të prodhojë asnjë efekt në dobi të tij, përveç një deklaratë apo rezolute që nuk paraqet asnjë kërcenim për Serbinë, qoftë në planin parandalues për arrestimet e mundshme, e mos të flasim për lirimin e të arrestuarit Thaçi.
KMDLNJ thekson se ky rast do të shërbejë për akuza ndaj pozitës nga opozita se nuk ka ndërmarrë asgjë për lirimin e komandantit të Policisë të rajonit të Mitrovicës, ndonëse as opozita, po të ishte në pozitë nuk do të ishte në gjendje të bëjë asgjë.
Ky këshill poashtu thotë se reagimi i institucioneve të Kosovës ishte jo i fort i zëshëm, për shkak se “fuqia e tyre nuk garanton lirimin e Nehat Thaçit”.
“Serbia ende sillet si shtet terrorist ndërsa bashkësia ndërkombëtare, në emër të “pavarësisë” së gjyqësorit të Serbisë, nuk ndërhynë në këtë çështje që është thuaja ekskluzivisht politike, aq më parë që Nehat Thaçi nuk është arrestuar më parë dhe se është liruar nga burgjet serbe”, thuhet në reagimin e KMLDNJ-së.
Drejtori i Policisë së rajonit të Mitrovicës, Nehat Thaçi është arrestuar nga policia serbe në fund të muajit në pikëkalimin kufitar në Konçul dhe tash po mbahet i arrestuar në burgun e Nishit. Ndaj tij ka filluar një procedurë gjyqësore para Gjykatës Speciale në Beograd.