Nga LSDM-ja, nuk ka qëndrim se si do të pozicionohet kryeministri Zaev, pasi Sela si partner qeveritar realizoi bashkëpunim me BESËN opozitare. Nga ana tjetër, nuk ka informata as nga PDSH-ja, “nëse Thaçi është partner i ri qeveritar potencial i Zaevit dhe Ahmetit”
Mariella Trajkovska
Koalicioni midis liderëve të partisë në pushtet Aleancës për shqiptarët dhe asaj në opozitë BESA, Ziadin Sela dhe Bilall Kasami, për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale mund të shkaktojë rikomponim të Qeverisë së Zoran Zaevit, mëson POST.mk.
Jo zyrtarisht, Zaev tanimë ka paralajmëruar Selën se nëse koalicionon me Kasamin, “pjesëmarrja e tij e mëtutjeshme në Qeveri do të vihet nën pikëpyetje”. Nga LSDM as konfirmojnë e as demantojnë se ka pasur takim Zaev – Sela. Një funksionar i lartë i LSDM-së thotë se kur do të ketë vendime për këtë, “do të bëjnë me dije”. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, pohoi se koalicioni midis Aleancës dhe BESA-së do t’i ulë në tryezë Ali Ahmetin dhe Zoran Zaevin, lidhur me përbërjen e koalicionit qeveritar me Selën.
“Pasi bëhet fjalë për koalicion me partitë opozitare në të cilat sipas spekulimeve, ka edhe parti maqedonase në atë grup, mendoj se partnerët e koalicionit do të ulen dhe do të marrin një vendim se çfarë do të bëjnë më tutje”, tha Osmani.
Informatat që i siguroi POST.mk, janë se dje ka pasur takim midis Zaevit dhe Selës, me qëllim që të mos bëhet bashkëpunim midis Aleancës për shqiptarët dhe BESA-së në rrethin e dytë zgjedhor. Në atë takim, Selës qartë i është theksuar se me këtë e rrezikon pjesëmarrjen e tij në Qeveri dhe se në vendin e tij do të vijë PDSH-ja e Menduh Thaçit, si partner i ri qeveritar.
Por, është evident se takimi midis Zaevit dhe Selës nuk i ka ndryshuar pozitat e liderit të Aleancës, sepse Aleanca dhe BESA sot nënshkruan memorandum bashkëpunimi për raundin e dytë zgjedhor.
Nga LSDM-ja, nuk ka qëndrim se si do të pozicionohet kryeministri Zaev, pasi Sela si partner qeveritar realizoi bashkëpunim me BESËN opozitare. Nga ana tjetër, nuk ka informata as nga PDSH-ja nëse Thaçi është partneri i ri qeveritar potencial i Zaevit dhe Ahmetit.
Përkundër kësaj, Osmani porositi qartë se koalicioni midis Aleancës dhe BESËS ka për qëllim shpëtimin e karrierave politike të Selës dhe Kasamit.
“Koalicionet bëhen mbi bazë të programit, nuk bëhen mbi bazë të ndarjes së kontingjenteve të votave, duke i trajtuar votuesit si kontingjente të cilat mund t’i transferoni nga njëra në tjetrën parti. Ato bëhen mbi bazë të komplementaritetit të ideve. Koalicioni midis BDI-së dhe LSDM-së në Qeveri, në Qytetin e Shkupit dhe në Çair, është bërë në pajtim të angazhimeve të përbashkëta për progres në komunën e Çairit dhe në Qytetin e Shkupit. Çdo projekt i Visar Ganiut për Çairin është komplementar me programin e Petre Shilegovit dhe me atë të Qeverisë. Qytetarët presin koalicione të këtilla. Çdo marrëveshje e cila është bërë prapa skenave, e cila është për shpëtimin e karrierave politike është e papranueshme për qytetarët. Këto zgjedhje janë kontrast. Nga njëra anë keni koalicion reformues dhe evropian, ndërsa nga ana tjetër – një koalicion të paqartë i cili nuk dihet nga po çon”, thotë Osmani.
Aleanca për shqiptarët pret që Zaev të mbetet neutral në raundin e dytë zgjedhor në Strugë.