
Në mënyrë unanime, me dhjetë vota “Për”, Këshilli i prokurorëve publik ka emëruar Aco Kolevskin për kryetar të Këshillit. Ai është zgjedhur nga radhët e anëtarëve të Këshillit ndërsa ka qenë kandidati i vetëm. Kryetari i ri vjen në krye të këtij institucioni në kohën kur ka filluar procedura për shkarkimin e kryetares së PSP-së, Katica Janeva. Nuk deshi të komentojë nëse Këshilli do të emëroj ushtrues detyre në Speciale pas shkarkimit të Janevës.
Dua të theksoj se Këshilli vendimet i merr me shumicë votash, kështu që nëse kjo çështje shtrohet para Këshillit, unë do ta nxjerr në seancë për ta dëgjuar mendimin e secilit prej anëtarëve dhe eventualisht së bashku të marrim vendim nëse konsiderojmë se ka nevojë. Nuk mund të them ndonjë qëndrim timin sepse do ta kisha prejudikuar mendimin apo vendimin që do ta sillte Këshilli lidhur me këtë çështje”-tha Aco Kolevski, kryetar i Këshillit të prokurorëve publik.
Kolevski, i cili si anëtar i Këshillit kishte qasje në shkresat për hetimin e rastit “Reket”, gjithashtu nuk deshi të komentojë nëse ka bazë që hetimi të zgjerohet.
Besoj që kolegët po bëjnë çdo gjë që është në kompetencën e tyre për ta zbardhur rastin, që më duhet të pranoj se ka hedhur hije të zezë ndaj gjyqësorit”-theksoi Aco Kolevski, kryetar i Këshillit të prokurorëve publik.
Ndryshe, Kolevski ka karrierë shumëvjeçare nëpër prokuroritë e vendit. Ka punuar në Prokurorinë Themelore Publike si dhe në Prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar. Anëtar i Këshillit të prokurorëve publik është emëruar në vitin 2018.
ALSAT