Komandant Malisheva: Na tradhëtuan në Kumanovë, janë edhe njerëz të përfshirë në politikë dhe shërbime inteligjente

567

Muhamet Krasniqi, pjesëtar i Grupit të Kumanovës, i dënuar me burgim të përjetshëm në Maqedoni, ka folur me telefon ekskluzivisht nga burgu i Idrizovës, për “Interaktiv” të KTV-së. I njohuri si Komandant Malisheva, ka folur për kushtet në të cilat po qëndrojnë shqiptarë atje. Ka folur për tortura psikologjike. Përtej kësaj, ai ka bërë një kronologji të gjithë ngjarje së majit të 2015-s, ku thotë se kishin rënë në kurth.

Interaktiv: Çka keni dashur të arrini?

Krasniqi: Kemi dashur të arrijmë minimumin federalizmin e kësaj Republike, e maksimumi ka qenë ndarja e pjesës shqiptare dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Kjo ka qenë ajo në shpirt që e kemi ndje dhe ajo që e kemi diskutuar bashkë me shokët e idealit, e me shumë politikanë të cilët nuk dua t’i bëjë publikë.

Interaktiv: A keni pasur përkrahje të politikanëve për të shkuar atje?

Krasniqi: Shumë e vërtetë që kemi pasur përkrahje, nuk jemi nisur ne në krye në vete, por jemi konsultuar me shumë politikanë, të të gjitha partive politike në Kosovë. Por edhe nga Shqipëria. Dikush ka biseduar me politikanë nga Shqipëria, dikush me politikanë nga Kosova, dikush me disa politikanë nga Maqedonia, kështu që nga të gjithë ka qenë miratimi që duhet të veprohet diçka, përndryshe shqiptarët do të asimilohen dhe do të shkojnë vetëm kah më e keqja, dhe do të shtypen. Për atë edhe e kemi marrë një hap të tillë.

Interaktiv: E si keni menduar se do ta ndani Maqedoninë, nëse shkoni 20-30 vetë dhe e sulmoni një Stacion Policor në Kumanovë?

Krasniqi: Po, edhe këtu ta jap përgjigjen shumë saktë. Në fakt, ne kur kemi biseduar me shumë bashkëluftëtarë, kemi gjetur përkrahjen e të gjithëve, të gjithë kanë qenë për. Në momente të caktuara kemi biseduar me ta, dhe shqiptarët e Maqedonisë vetë na kanë thirr. Nuk ka pas ditë që nuk kemi pas vizitorë nga shokët tanë të luftës nga Maqedonia, nga politikanë besa, e nga njerëz të ndryshëm që vinin dhe kërkonin ndihmën tonë, se nëse nuk ndërmerrni diçka me na ndihmu, ne marrim fund. Situata kështu nuk bën, shqiptarët gjithmonë po humbin, qytetarët po ikin po e lëshojnë vendin, dhe kështu jemi nxit për të marrë një hap të tillë.

Interaktiv: Shqiptarët kanë ikur për shkak të kushteve ekonomike, qysh po ikin edhe prej Kosovës edhe prej Shqipërisë?

Krasniqi: Kanë ikur edhe për shkak të gjendjes ekonomike, por edhe për shkak të gjendjes politike, se një aksion, një orkestrim i Nikola Gruevskit, ka bërë që të paktën mijëra njerëz të ikin prej këtu, nga frika se mos po e bëjnë edhe ndonjë proces të montuar dikujt tjetër.

Interaktiv: Kush ka qenë udhëheqës i grupit?

Krasniqi: Udhëheqës i grupit ka qenë Mirsad Ndrecaj, ka qenë komandant i Përgjithshëm i caktuar, shef i Shtabit ka qenë Beg Rizaj.

Interaktiv: Si e keni quajtur ju këtë grup?

Krasniqi: Ky ka qenë bërthama e parë e riorganizimit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që pas riorganizimit duhej që të ndahej në brigada, pastaj në zona e kështu me radhë.

Interaktiv: E çka ndodhi, si ratë në duart e Policisë së Maqedonisë?

Krasniqi: Të tjerët kanë qenë një javë para se të vija unë aty. Nga data 1 (maj 2015) janë futur në Maqedoni, grupi i parë. Unë kam qenë me grupin e dytë, kemi qenë 10 veta. Unë duke menduar se atje ka shkuar gjithçka në rregull dhe janë mobilizuar njerëzit. Natën kur kam mbërri me datën 9, diku ora 2 para mëngjesit ka qenë, i kam parë dhe kam dashur të bisedoj me Mirsadin. Më thanë, shkojmë pushojmë pak, se nuk kanë fjet qe 4 – 5 ditë. Mbetëm pa bisedu se si është organizu UÇK-ja, si kanë shkuar punët. Në orën 5 të mëngjesit veç na sulmuan. Kishte 3 orë kohë nga arritja ime deri sa na sulmuan. Ata kanë qenë duke na prit, që të arrijmë edhe unë me shokë të tjerë, që kur të hyjmë aty me na ekzekutu pa zhurmë. Ky ka qenë qëllimi i tyre, sepse mënyra qysh ata na kanë sulmuar, kanë ardhur pa paralajmërim, ka qenë errët pa u bërë dritë, dhe në momentin që i kemi parë të gjithë të maskuar dhe në rroba të zeza, atëherë kanë filluar krismat prej të gjitha anëve.

Interaktiv: Ata kanë gjuajtur, ju ja keni kthyer?

Krasniqi: Po normal që ia kemi kthy, edhe kemi qëndru sa kemi mujt e sa kemi pasur ato mundësitë edhe pse shumë raste kanë qenë të tmerrshme, sepse shkelnim edhe nëpër kufomat e shokëve, shtëpitë digjeshin. Ne bëmë luftë me një arsenal, me një shtet të tërë.

Interaktiv: A besoni se dikush brenda grupit ju ka tradhtu, e ka lajmëruar shtetin?

Krasniqi: Brenda grupit unë nuk besoj, ashtu qysh e kemi studiu këtë punë unë nuk besoj, por jashtë grupit kemi shumë tradhtarë. Kemi tradhtarë të atyre që na kanë sabotuar, edhe emrat e tyre i dimë të gjithëve

Interaktiv: Kush janë ata?

Krasniqi: Për momentin nuk e di sa është mirë me i bë të ditur emrat e tyre, por janë shumë, janë disa që momentin e duhura është dashur bashkë me ne të jenë këndej, e në momentet e fundit i kanë mbyllur telefonat. Ata e dinë, do ta marrin mesazhin që sonte.

Interaktiv: A janë politikanë?

Krasniqi: Ka prej tyre edhe që merren me politikë, besa edhe të strukturave të Policisë, të Inteligjencës, ka shumë prej që na kanë sabotuar.

Interaktiv: Çfarë roli ka pasur Ali Ahmeti? A e ka ditur që ju jeni atje?

Kransiqi: E ka dit Ali Ahmeti. Që jemi këtu e ka ditë Ali Ahmeti. Që do të vijmë këtu e ka ditë Ali Ahmeti. Kush është në krye të kësaj pune, gjithçka ka ditur Ali Ahemti.

Interaktiv: A ua ka dhënë “aminin” Ali Ahmeti?

Krasniqi: Unë për vete nuk jam takuar me të, njeriu që ka dashur të na takojë, që ka biseduar me Mirsadin, unë isha në tavolinë, ka thënë se a t;ua bëjë një takim me kërkesën tuaj. Mirsad Ndrecaj ka thënë se me kërkesën tonë nuk do të bëjmë takim me Ali Ahmetin

Interaktiv: Nuk keni deshtë ta takoni?

Krasniqi: Ne nuk kemi deshtë ta thërrasim Ali Ahmetin, sepse dështimi politik i tij, pas gjithë asaj luftë në vitin 2001 që e bëmë, neve nuk na bëri ndonjë përshtypje të mirë me kërku atë, me bisedu dhe me i besu atij

Interaktiv: A ka mundur ta parandalojë Ali Ahmeti atë që ka ndodhur?

Krasniqi: Ka mujt me parandalu. Edhe tjetra është se gjatë dorëzimit ne… kjo ka qenë thuaj edhe një tradhti tjetër, një mashtrim i radhës që na çiti, duke mendu që do të dorëzohemi te pjesëtarët e OSBE-së, neve na dorëzuan në duart e forcave speciale të Maqedonisë

Interaktiv: Kush ju tha të dorëzoheni?

Krasniqi: Mirsad Ndrecaj i ka udhëhequr këto bashkë me Shefqet Hallaqin, i cili ka mbajtur kontaktet me OSBE-në. Ndrecaj ka folur me Ali Ahmeti së pari, pastaj me Artan Grubin.

Interaktiv: Domethënë Ali Ahmeti ju ka thënë të dorëzoheni?

Krasniqi: Ali Ahmeti ka negociu, është munduar, sipas tij, të bëjë diçka për neve, që të na hap një korridor që të tërhiqemi e të mos vriten civilë. Qëllimi ynë ka qenë që të mos vriten civilë, se po u vranë civilë, këta do të mundohen të vrasin civilë dhe do të mundohen të na lënë neve, atëherë faktikisht do të kategorizoheshim si terroristë. Edhe në fund na ka thënë, i ka thënë Mirsadit, se nuk po mund të bëjë asgjë, nuk po pranojnë pala maqedone që të tërhiqeni ju, e vetmja mundësi është që të dorëzoheni ju.

Interaktiv: A e ka ditur Ramush Haradinaj që ju jeni në Kumanovë?

Krasniqi: Nuk besoj që e ka ditur Ramush Haradinaj që ne jemi në Kumanovë. Në bazë të gjitha bisedave që i kemi bërë, bile ta them të drejtën e kam pyetur Mirsadin: A ke folur me Ramushin? Më ka thënë: jo, edhe mos gabo me fol me të, drejtpërdrejt me të, është fjala. Kështu që nuk besoj.

Interaktiv: Po kush e ka ditur prej politikanëve në Kosovë?

Krasniqi: E kanë ditur deputetë, kryetar të partive, deputetë të të gjitha partive ka që kanë qenë të informuar dhe na kanë thënë veç a mundeni.

Interaktiv: A mundesh me na tregu ndonjë emër?

Krasniqi: Jo, më vjen keq, nuk mundem.

Interaktiv: Parti? AAK, Vetëvendosje?

Krasniqi: Nga të gjitha, nga të gjitha që kanë deputetë në parlament.

Interaktiv: Kanë konsideruar se është diçka që duhet me bë?

Krasniqi: Po, jemi prekur nga ata deputetë që kemi menduar se janë më patriotë. I kemi nda që dikush të flet me të njërës parti, dikush me të tjetrës, por me ata deputetë që ne kemi menduar që janë më burra të mirë dhe më patriotë, që ju besojmë.

Comments