Kompanitë preferojnë punën në të zezë

194

Ekonomia informale, ndryshimet e Planeve të detajuara urbanistike dhe disiplina financiare, apo vonesa e pagesave të institucioneve shtetërore apo lokale , janë tre problemet kryesore që pengojnë biznesin të fillojë me investime dhe të mbështesë më shumë rritjen ekonomike në Maqedoni. Sipas kryetares së Lidhjes së Odave ekonomike të Maqedonisë, Daniela Arsovska, puna në të zezë e bizneseve nuk është një problem i ri, por është i trashëguar. Megjithatë sipas saj, brengos fakti se në kohët e fundit rritet numri i bizneseve që punojnë jashtë rrjedhave formale të biznesbërjes në shtet.

“Ekonomia informale ka ekzistuar edhe më parë , por problem më i madh aktualisht për biznes ambientin në Maqedoni, është fakti se po shënohet çgjistrimi masovik i firmave dhe kalimi i tyre të punojnë në të zezë, duke shikuar se kompanitë që nuk janë të regjistruara nuk ndiqen. Bile sipas vlerësimeve tona mund të shkojë deri në 25 për qind i ekonomisë vendore , numri i bizneseve që kanë kaluar të punojnë në ekonominë informale”, thekson Arsovska.

Nga ana tjetër, ministri pa portofol, Zoran Shapuriq, thotë se nevojitet një analizë më e thellë dhe më e detajuar e bazuar në të dhënat e Regjistrit qendror që të dimë me të vërtetë se sa kompani eventualisht edhe mund të kenë të kaluar të punojnë në ekonominë informale.

“ Në radhë të parë ekonomia informale paraqet një problem që është shtresuar me vite, dhe kërkon luftë vazhdueshme dhe jo luftë në aspekt fushate. Gjithashtu nevojitet që të kemi të dhëna më të sakta lidhur me numrin e firmave që mund të jenë të bllokuara, të mos jenë më aktive e kështu me radhë që të mund përgatisim një analizë më të gjerë, dhe pastaj mund të flasim më detajisht për këto pohime”, thotë Shapuriq.

Sipas tij, në takimin me afaristët e kësaj ode është theksuar se ekzekutivi i ri angazhohet për dialog të vazhdueshëm me biznesin për zgjidhjen e problemeve. Është biseduar edhe për mbindërtimin e masave për rritje ekonomike, kthimin më të shpejtë të TVSH-së për firmat në kohët e fundit , përkrahjen për herë ndaj biznesit vendor, etj.

Nga Lidhja e Odave ekonomike të Maqedonisë kanë kërkuar ndihmë nga pushteti qendror edhe ndihmë lidhur me pasigurinë juridike në ndërtimtari apo zgjidhen e problemeve me planet që mundësojnë apo jo ndërtime të reja për bizneset, për çka kanë kërkuar intervenim nga pushteti qendror ndaj pushtetit lokal. Kërkohet edhe mos anulimi i ligjeve që veçmë janë miratuar, si dhe një disiplinë më madhe financiare , apo pagesa e borxheve të komunave dhe ndërmarrjeve publike ndaj biznesit.

Ndryshe, sipas analizave të Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, transporti, turizmi, hoteleria, dhe bujqësia janë veprimtaritë ekonomike ku më së shumti është prezente ekonomia informale , apo punë në të zezë. Gjithashtu në takimin midis afaristëve të kësaj ode dhe ministrit Shapuriq, është theksuar se sipas analizave të Qendrës Evropiane për legjislacion evropian, rregullativa për qasjen ndaj financave, përforcimi i kapaciteteve të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe qasja konzervative e bankave që vështirë japin kredi, janë detektuar si sfidat më të mëdha të kompanive të vogla dhe të mesme. /koha.mk/

Comments