Kompozitori dhe DJ Rinor Kastrati, në bashkëpunim me MP3.ofc dhe James Hersey publikojnë këngën e re “Miss You”
Kompozitori dhe DJ-i shqiptar Rinor Kastrati ka lansuar projektin e tij më të ri muzikor, këtë herë në një bashkëpunim ndërkombëtar me producentin e njohur MP3.ofc dhe kantautorin James Hersey.
Trioja artistike ka sjellë një këngë dinamike dhe ritmike me titullin “Miss You”, që tashmë është e disponueshme në të gjitha platformat dixhitale.
E përshkruar nga vetë autorët si një himn i ri veror, “Miss You” sjell një përzierje të freskët të zhanreve deep house dhe afro house, të shoqëruar me vokalin karakteristik të James Hersey, i njohur për energjinë dhe ndjeshmërinë e tij muzikore.
Ky bashkëpunim është një dëshmi e fuqisë që kanë lidhjet krijuese përtej kufijve dhe synon të bëhet një hit global, duke dominuar playlistat verore, skenat e festivaleve, plazhet dhe radiot ndërkombëtare.
Të tre artistët janë shprehur jashtëzakonisht të kënaqur me këtë bashkëpunim, duke e cilësuar si një nga projektet më të arrira dhe më përfaqësuese të stilit të tyre.
Kënga është publikuar në platforma si Spotify, Apple Music, Deezer, dhe shumë të tjera – dhe është vetëm fillimi i asaj që duket se do të jetë një verë plot ritëm dhe muzikë elektrizuese nga Rinor Kastrati dhe bashkëpunëtorët e tij.