Me koordinim të ndërsjelltë të të dyja institucioneve po ndërmerren hapa të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të gjendjes së hapësirave publike në Komunën e Çairit ku në mënyrë të sigurtë duhet të qarkullojnë qytetarët përgjatë bulevardeve.
Me lirimin e hapësirës ku më parë zhvillohej veprimtaria tregtare, plotësohen të gjitha predispozitat teknike për fillimin e procesit të punës për rregullimin e bulevardit në Bit Pazar dhe krijimin e një taksi stacioni të ri të paraparë në atë vend.
Zëdhënësi i Komunës së Çairit, Kushtrim Alla në press konferencën e përbashkët me Qytetin e Shkupit deklaroi:
“Për sa i përket lokacionit të përcaktuar duhet potencuar se kjo është vetëm zgjidhje e përkohshme që do të vlejë deri në ndërtimin e tregut të ri i cili brenda do të ketë kapacitet hapësinor për zhvillimin cilësor të veprimtarisë tregtare. Në lokacionin momental është instaluar ndriçim publik dhe po ndërmerren edhe masat tjera për krijimin e kushteve optimale të punës. Gjithashtu përmes mjeteve të informimit të dy institucionet në mënyrë masive do të informojmë qytetarët për vendndodhjen e re të tregtarëve me qëllim që procesi i shitblerjes të vazhdojë në mënyrë normale dhe pa asnjë pengesë”.