Komuniteti turk kërkon të përsëritet regjistrimi. “Numrat janë joreal, nuk pranojmë rezultate nën 7%”

113

Komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut nuk i pranon rezultatet e regjistrimit të popullsisë. Trupi nacional koordinues për regjistrimin e popullsisë turke ka dorëzuar ankesë deri te Enti i Statistikave. Thonë se regjistrimi është realizuar në kundërshtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore.

“Siç potencuam më 30 mars 2022, ne si popullatë turke, numrat e publikuar dhe përqindjet për turqit në regjistrim i vlerësojmë si të pavërteta dhe e informojmë opinionin se nuk i pranojmë rezultatet. Kërkojmë nga Enti shtetëror i statistikave që të anuloj rezultatet e regjistrimit dhe të njëjtin ta shpall si të pavlefshëm”, tha Hysrev Emin – Kryetar i Lidhjes së OJQ turke.

Të pyetur se cilat janë përllogaritjet e tyre për numrin e turqve që jetojnë në Maqedoni, nuk u përgjigjën konkretisht, por përfaqësuesit e këtij komuniteti thonë se nuk pranojnë rezultate se janë nën 7%. Ish deputeti Erdogan Saraç procesin e quan operacion politik dhe kërkon që të përsëritet nga fillimi.

Moebel THEMA

“Është e papranueshme me këtë ligj të kemi regjistrim objektiv, prisnim që regjistrimi i popullsisë do të ishte proces statistikor, por doli për fat të keq që është proces politik, me atribute kryesore nga ana e qeveritarëve, kështu që edhe deklaratat e përfaqësuesve qeveritar shkonin në atë drejtim. Prej përpara dihej pasqyra e shpërndarjes demografike të popullsisë në Maqedoni”, tha Erdoğan Saraç – Lëvizja për Unitet Kombëtar.

Deputeti, Bejxhan Iljas, thotë se do të reagojnë edhe në instanca ndërkombëtare.

“Ne nuk jemi mbledhur sot këtu që me emocione të përfaqësojmë popullin tonë por me fakte dhe argumente, që janë radhitur në shumë faqe. Dorëzuam ankesën e parë, ndërsa ankesat tona do të dorëzohen në të gjitha institucionet relevante në vendin tonë dhe në nivel ndërkombëtar, duke filluar nga Këshilli i Evropës dhe ambasada tjera dhe përfaqësi diplomatike”, tha Bejxhan Iljas – Kryetar i PDT.

Nga numri i përgjithshëm i të regjistruarve në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht të banorëve rezidentë dhe jorezidentë, 3,98 % janë turq. Nga Enti statistikor ende pa qëndrim në lidhje me ankesat dhe kërkesën e përfaqësuesve të komunitetit turk.

Comments