Kondarko: Asnjë problem gjatë votimit të sotëm

101

Shkup, 1 nëntor – Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Boris Kondarko, informoi se votimi për personat e sëmurë, të paaftë dhe për të burgosurit po zhvillohet pa pengesa dhe pa asnjë vështirësi. Ai theksoi se deri më tani në KSHZ nuk ka mbërritur asnjë njoftim zyrtar apo jozyrtar për ndonjë problem të mundshëm.

“Votimi për të gjitha kategoritë që kanë të drejtë vote ka filluar me kohë, nuk kemi asnjë problem as me materialin zgjedhor, as me organet zgjedhore. Nuk kemi asnjë vërejtje, ankesë apo informatë tjetër që do të duhej ta ndanim,” deklaroi Kondarko në konferencën e sotme për media të KSHZ-së.

Ai shtoi se gjatë ditës, përfaqësues të shërbimeve teknike dhe anëtarë të KSHZ-së kanë dalë në terren për të vizituar disa komisione zgjedhore komunale.

Kondarko theksoi gjithashtu se votat e dhëna sot nuk do të numërohen veçmas, por do të ruhen të vulosura dhe do t’u bashkohen rezultateve të votimit të nesërm, përkatësisht kutive të vendvotimeve përkatëse. Më pas, ato do të publikohen si pjesë e rezultateve të përgjithshme që do të fillojnë të shpallen pas mbylljes së ditës së zgjedhjeve nesër.

Comments