Konfederata e Sindikatave të lira të Maqedonisë kërkon rritjen e pagave në sektorin publik për 19%
Konfederata e Sindikatave të lira të Maqedonisë kërkon rritjen e pagave në sektorin publik për 19%. Rritja e pagave sipas tyre duhet të jetë në pajtueshmëri me rritjen e pagës minimale.
Kryetari i Konfederatës së sindikatave të lira, Bllagoja Rallpovski, ankohet se nuk po mund t’i shpalosë kërkesat, ndërsa për këtë kritikoi Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale.
“Koeficienti themelor për llogarinë e pagave do të jetë nën minimalen. Kërkojmë për 19% rritjen e pagave në sektorin publik në pajtueshmëri me Ligjin për marrëdhënie pune dhe konventat e Organizatës ndërkombëtare të punës që janë ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë”,- deklaroi kryetari i KSL-së, Bllagoja Rallpovski.
Rallpovski thekson se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre kështu duke paralajmëruar protesta masive. Duke iu drejtuar deputetëve, ai tha se ata bëhen bashkëpunëtorë në thyerjen e Ligjeve nëse vendosin në pika nga sfera e socio–ekonomisë, siç është Ligji për pagë minimale.
Konfederata e sindikatave të lira gjithashtu kundërshton punën e administratës në dy ndërrime, pasi, sipas tyre, kjo do të jetë ngarkesë plotësuese në disa institucione ku ka mungesë të kuadrove të punës.