Konflikti familjar përfundon me dhunë, vjehrra godet dhëndrin me thikë
Një konflikt gjatë një udhëtimi me makinë në rajonin Munsterland të Gjermanisë u përshkallëzua në një incident të rëndë, ku një 27-vjeçar mbeti i plagosur me thikë.
Ngjarja ndodhi ditën e Krishtlindjeve, në një rrugë rurale mes Ahaus dhe Gronau, në landin North Rhine-Westphalia. Sipas policisë, fillimisht pati një debat verbal mes gruas 56-vjeçare, shtetase gjermano-turke, dhe partnerit 27-vjeçar të vajzës së saj 23-vjeçare, raporton Bild, transmeton Klankosova.tv
Situata u tensionua më tej kur gruaja dyshohet se përdori sprej me piper, duke detyruar 27-vjeçarin të ndalojë automjetin në rrugën Graeser Brook. Aty, sipas hetimeve, gruaja nxori një thikë dhe e goditi të riun në pjesën e sipërme të trupit.
Policia njoftoi se i plagosuri u dërgua në spital me lëndime serioze, por jashtë rrezikut për jetën.
Pas sulmit, e dyshuara u largua nga vendngjarja, duke detyruar autoritetet të angazhojnë njësi speciale dhe një helikopter për kërkimin e saj.
Më vonë, ajo u dorëzua vetë në një stacion policie në Gronau, po atë mbrëmje. Prokuroria bëri të ditur se 56-vjeçarja ndodhet në paraburgim dhe po hetohet për tentativë vrasjeje dhe sulm të rënduar. /Klankosova.tv

