Kongresi i Manastirit, unifikim i alfabetit të gjuhës shqipe
114 vjet më parë nisi punimet Kongresi i Manastirit ku u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe.
Në këtë Kongres u zhvillua mbledhja e Komisionit për Çështjen e Alfabetit, ku morën pjesë intelektualë shqiptarë të kohës.
Synimi i mbledhjes ishte arritja e njehsimit të alfabetit që do të përdorej për shkrimin e gjuhës shqipe. Kongresi i mbajti punimet deri më 22 nëntor 1908, data kur në të gjitha trevat shqipfolëse kujtohet “Dita e Alfabetit”.
Në përmbyllje, Komisioni mbi çështjen e “Abecesë” doli me këtë vendim: “Pas që u kënduan verbalet e ditëve t’jera e pas që e pamë se puna që kishim bërë ishte mjaft e madhe, po jo aqë sa të na kënaqte të gjithëve e t’i shërbente si përparimit të gjuhës, si të përhapurit të diturisë ndër ne, të shtyrë edhe nga disa shkaqe të përjashtme, u këthyem prapa e me pëlqim të të gjithëve u vendos që të mirret Abeja e Stambollit e me të bashkë edhe Abece fjesht latine, që të mësohen e të përdoren bashkarisht në mest të Shqypëtarëvet. Mësimi ndë shkollë do të jetë i shtrënguar e i detyrueshëm për të dyja.”
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në këtë përvjetor, sjell foto të vendimeve të Kongresit të Manastirit.
Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjypt, Amerikë, etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mit’hat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik: “Liria” dhe “Dituria”.
Në këtë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të të gjitha komuniteteve fetare si, myslimanë, katolikë, ortodoksë, protestantë, njerëz të ditur, të bashkuar për një qëllim të madh kombëtar.
Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë, në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njehsuar shqipe.
Kongresi vendosi ngritjen e Shtypshkronjës shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.
Një pjesëmarrës i shquar në Kongresin e Alfabetit ishte studiuesi, poeti dhe atdhetari nga Shkodra, Ndre Mjeda. Tetë nga trembëdhjetë propozimet e tij u miratuan nga Kongresi i Manastirit. Ndonëse jetoi në disa vende të huaja dhe fliste 13 gjuhë, mbi gjuhën shqipe ai nuk vinte gjë tjetër .

