Kongresmeni amerikan: Të ndahet Maqedonia! Shqiptarët duhet të bëhen pjesë e Kosovës. Pjesa tjetër me Bullgarinë

150

 


Kongresmeni amerikan: Të ndahet Maqedonia! Shqiptarët  duhet të bëhen pjesë e Kosovës. Pjesa tjetër me Bullgarinë

Kongresmeni republikan Dana Rohrabacher, kryesues i Komitetit për Politikë të Jashtme në Europë, ka komentuar për herë të parë deklaratat e kryeministrit shqiptar, Edi Rama kundër Donald Trump gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Rohrabacher shprehet se tashmë, kryeministri shqiptar duhet të pranojë faktin që Trump është President dhe të gjenden mënyrat se si dy vendet mund të bashkëpunojnë. “Trump ka fituar. Ai është President. Tani është koha që të bëhen marrëveshje dhe të mundohemi të shohim se cila është gjëja më e mirë që mund të bëjmë apo përmbushim me këtë njeri si President. Jo të përgjigjemi në mënyrë armiqësore, duke thënë se ne nuk na pëlqen ai apo ai nuk na pëlqen ne. Por të gjejmë diçka që ne mund ta bëjmë dhe që Trump do që ta bëjë dhe le të punojmë të gjithë për këtë”, – është shprehur Rohrabacher në një intervistë për “Vizion Plus”.

Kosova e Maqedonia

Kongresmeni amerikan Dana Rohrabacher është një prej njerëzve më me peshë në Dhomën e Përfaqësuesve. Si një ish-ndihmës i Presidentit Regan, Rohrabacher i pëlqen që t’u jepet një shkundje politikave të brendshme dhe të jashtme. Ai e pret me entuziazëm kryerjen e një politikë të tillë edhe nga Presidenti i ri Trump. Kamera e Vizion Plus ishte brenda në Kongresin amerikan, në zyrën e zotit Rohrabacher pak ditë pasi ai i dërgoi një letër Presidentit të Serbisë Nikoliç, në të cilën, kërkonte që të shqyrtohej mundësia e shkëmbimit të territoreve në veri të Kosovës, si zgjidhja më e mirë. Rohrabacher shkon edhe më tej: Le të ndryshojnë edhe kufijtë e Maqedonisë. “E urrej ta them këtë, sepse kjo do të bëjë që të gjithë të tërbohen me mua, por pse jo dreqi ta hajë… Qëndrimi im është që Maqedonia nuk është një shtet. Më vjen keq por nuk është një shtet. Ata janë kaq të ndarë, sa kurrë nuk do të jenë në gjendje që të shkojnë mirë së bashku. Prandaj, kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë duhet të bëhen pjesë e Kosovës. Ndërsa pjesa tjetër e Maqedonisë duhet të bëhet pjesë e Bullgarisë apo çfarëdo vendi tjetër me të cilët ata pretendojnë se kanë lidhje. Ideja që do ta mbajmë Maqedoninë gjallë sepse dikush, 30 vjet më parë vendosi që ky është konfigurimi që duhet të dalë nga shpërbërja e Jugosllavisë, nuk çon në një arsyetim që kjo ide të mbahet ende” – u shpreh Dana Rohrabacher. Por i pyetur nëse kjo është një ide e tij, apo përfaqëson dhe një qëndrim të mundshëm të administratës së re amerikane, kongresmeni kujton se ai ka një ndikim të fuqishëm tek politikbërësit amerikanë aktualisht. “Unë kam ndikim në politikbërësit amerikanë tani. Jam kryetari i Komitetit të Jashtëm në Dhomën e Përfaqësuesve që merret me atë pjesë të botës. Ne do të kemi seanca dëgjimore në muajt në vijim. Një nga çështjet që do të diskutojmë është ndryshimi i kufijve në mënyrë që ata të kenë kuptim dhe të sjellin paqe në Ballkan”- theksoi Dana Rohrabacher.

Comments