Konveski: Nëse VMRO-DPMNE i humb zgjedhjet presidenciale, Mickoski të tërhiqet nga pozita e kryetarit
Nëse VMRO-DPMNE i humb zgjedhjet presidenciale në prill, përgjegjësia do të jetë personalisht e kryetarit Hristijan Mickoski dhe ai duhet që të tërhiqet nga funksioni i liderit të partisë, thotë në intervistë për SDK, Ivica Konevski, i cili dy mandate ka qenë kryetari i Komunës së Aerodromit nga radhët e VMRO-DPMNE-së.
Konveski është këshilltar aktual i Mickoskit për Qytetin e Shkupit. Ai thotë se është i shqetësuar për gjendjen në VMRO-DPMNE pas votimit të ndryshimeve kushtetuese dhe se janë përjashtuar disa anëtarë të partisë.
“Shumë ishte e gabuar qasja e kryetarit Mickoski në lidhje me përjashtimin e anëtarëve. Shumë nga anëtarët janë distancuar nga vetë kryetari, ndërkaq ka një numër të anëtarëve të cilët fare nuk vijnë në parti vetëm për shkak këtyre politikave të ndarjeve në tradhtarë dhe patriotë. Ai ishte hap i gabuar dhe vetë partinë e dërgon në drejtim të gabuar”, thotë Konevski.
Ai vlerëson se Mickoski e dërgon partinë drejt nacionalizmit radikal, në vend të drejtimit modern dhe progresiv. Sipas tij, bojkotimi eventual i zgjedhjeve presidenciale do të ishte vendim i gabuar, i cili partinë do ta largonte nga komuniteti ndërkombëtar.
“Duhet t’i japim mundësi Mickoskit për zgjedhjet presidenciale. Unë kam natyrë optimiste, por për këtë çështje se ai do të na mbledh të gjithëve, nga dita në ditë, jam gjithnjë e më shumë pesimist. Nëse i humb zgjedhjet edhe përkundër gjendjes katastrofike dhe pushtetit i cili asgjë nuk sjell, përgjegjësia do të jetë personalisht e Mickoskit. Për të mirën e partisë dhe anëtarëve nëse i humb zgjedhjet duhet që të tërhiqet nga pozita e liderit”, thotë Konevski.