KOPANICA – QERTHULLI I RAPSODËVE EMINENT

789
fresco

Shkruan: Syrja Etemi

“Viktimë” e radhës e kureshtjes sime për njohjen sa më për së afërmi të fshatrave shqiptare të Pollogut, por edhe më gjërë, kësaj radhe është Kopanica e Maliti të Thatë, të cilin fshat, që si fëmijë e pikasja nga kjo anë e “jona” e malit Sharr, kur në shoqërim me babain tim (tani i ndjerë), kur shkonim për dru në mal, e uleshim në ndonjë rasë të sheshtë, e, në pyetjen time për vendbanimet që i shifshim përballë venerimit tonë, m’i sqaronte një nga një, dhe, njëri prej tyre, nga i gjithë ky varg fshatrash në Malin e Thatë, me dashamirësinë e tij të hapur, sikur më ndjellte dhe më grishte së largu – për një “muhabet” odash e burrash. Pikërisht , për këtë vendbanim dhe për burrat e tij kam dëgjuar që s’i fëmijë, e, sidomos për “shehirët” dhe këjk’tarët me nam, si, Aga Riza (Emurllahi), Avdil Emurllahi, Shafi Vejseli, madje edhe trashëgimtarët e tyre, si Dehar Emurllahi, Remzi Emurli, Tahir Vejseli, e shumë e shumë të tjerë. E, në moshën e rinisë sime, meqë edhe unë isha dashamirës i këngës dhe instrumenteve tradicionale, viteve 80-ta, pata rastin të bëhem, më në fund edhe mik i odave të kopanicasve me disa nga protagonistët e mësipërm. E, unë jam pak “tabjatli” si i thonë fjalës, sepse përshkrimin tim në këto raste dua ta filloj dogri apo thjesht-nga goja e protagonistëve rezidentë, pasi që punën, të them administrative, të mbledhjes së të dhënave në forma të shkruara, i kam bërë paraprakisht.

TË DHËNA AKTUALE
Në bazë të regjistrimit të v.2002, ky vendbanim që i përket komunës së Jegunovcit ka 1059 banorë, edhe atë 752 shqiptarë, 300 maqedonë dhe 7 të tjerë. Nga regjistrimi i v. 1994 ka patur 226 shtëpi. Ka një shkollë fillore periferike e shkollës së Shemshovës, ku mësimi zhvillohet në dy gjuhë: shqipe dhe maqedonase. Aktualisht (2018) ka 1 paral. të kombinuar nga I-V në gjuhën maq. dhe 4 paralele në gjuhën shqipe, edhe atë: 1 par. e kombinuar (III dhe V) dhe 3 paralele të pastra: I,II, IV.
Fshati ka një xhami ku imam është Fariz Osmani

HISTORIKU I FSHATIT
Sa i përket historikut të fshatit, në mungesë të të dhënave arkivore, jemi të prirun t’u referohemi dokumentave dhe shkrimeve të autorëve sllavë, e , në këtë rast do të përmendim Jovan Trifunovskin, i cili në librin e tij Pollogu – kërkime antropogjeografike, të botuar më 1956, për Kopanicën, në mes tjerash rezultojnë këto parametra: Në vitin 1947 ky fshat ka patur 60 shtëpi, kurse për herë të parë përmendet në vitin 1470, kur Kebir Mehmet Begi, djemve të tij, përveç tokave tjera në Pollog, u ndan edhe tokë në atarin e Kopanicës (në vendin e quajtur Jastrebaça), bashkë me livadhet dhe “Drunjt’ e Mdhoj” – me Zabelet (që më vonë i trashëgojnë, Millosh Vujishiq, djemtë e Krvashevit (Kërveshit, S.E.) dhe Rajiqi). Kufiri është Vardari dhe tokat e Bojk(ov)-it (Bojkut, S.E.).
Për herë të dytë Kopanica përmendet më 1795, kur Raxhep Pasha në këtë vendbanim e “vakufon” dhe e shndërron në pronë të Teqes Arabatit-Baba të Tetovës, edhe atë: 5 parcela bahçe, 5 kulla për banim dhe 3 dyqane. Më vonë, çiflik e ka patur edhe njëfarë Fejzullah Efendiu, në të cilin ka punuar një familje nga fisi sllav, Nikollovci.
Rreth viti 1900 Kopanica ka patur 18 shtëpi pravosllave dhe 12 muslimane. Po në këtë vit (1900), ndërtohet kisha pravosllave Sv.(Shën) Nikolla, kurse më 2014, kisha Sv.Petka (Shën Premtja).
Edhe në një rast tjetër përmendet Kopanica, përkatësisht – në një statistikë për qytetet e Tetovës dhe Gostivarit dhe fshatrave të tyre, në librin e Vasil Knçovit “Maqedonia – Etnografia dhe statistika”, i botuar në Sofje, v.1900, ku është përfshirë edhe fshati për të cilin flasim:


TOPONIMIA DHE MIKROTOPONIMIA
Në vazhdim po paraqesim edhe disa vendememërtime të fshatit Kopanicë, edhe atë, duke filluar nga rrafshi i Zhedenit: UMNEJK, MAJA, MAJA OSOJT, OSOJ I MOLLËVE, LLOKMA, PEPELISHTE, MAJ KISHËN E TUDENCËS, GABERI, RAFSHI ARAUSHËS, LIVADHISHTE, RUDINA, AR’E ADILIT, AR’E RAMËNIT,.
Ana perëndimore e fshatit: BUÇI I EPËR, BUÇI I POSHTËM, JASEJKA, TRMKA, LULEJCA, LUG(J)I, ORNEJCA, JASTREBAÇI.
Toponime në vendet malore: Sinjirit (Sredni Rid), Duqënçe, Reshitar, Llaktejsht.
Rreth Vardarit: Buçej, Sujdoll (Suvi Dol), Jasejk, Krusha, Prekaçe, Juri (nga jançejshtit), Trireqe (Tri Reçe), Lluk.
Te Kisha Sv. Petka një vendbanim i vjetër i quajtur, Barotreja.
Ka tre mëhallë (lagje): Mëhall’e Epër, Mëhall’e Poshtme, Muhall’e shkieve.

FISET

Fiset shqiptare apo arbanase, siç shprehet autori i librit për Pollogun, janë:
Memede (5 shtëpi) – i përkasin fisit të madh Krasniq (Shqipëri Veriore), psh: 4 djem—Metali— Amdi (47 vjeç – në v.1947) —-Alit —-Amet—-Memet , i cili (sipas të njëjtit autor), vjen i pari dhe themelon fisin, kurse një familje kalon në Tetovë.
Vesele (8 shtëpi) – nga një katund i rrethit të Grykës së Kaçanikut (“përpara 100 vitesh”). I pari vjen Rufati (74 vjeç – në vitin 1947) —-Sali —–Vesel (themelues i fisit).
Emurllae (4 sht.) – nga fisi Berishë. Shumë herët kanë ardhur në fshatin Lisec. Të parët – nga Hasi i Thatë rrethi i Shkodrës (katolikë).
Adilet (7 shtëpi) – nga fisi Krasniq –
Alite (4 shtëpi) – fisi Krasniq – në Grykën e kaçanikut ku, pastaj një vëlla vjen në Kopanicë e një në Tetovë.
Raman ( 1 sht.) – nga Radusha – përmes Siriçinës – nga fisi Krasniq.

KOPANICA – FOLE E RAPSODËVE TË SHQUAR TË POLLOGUT

Pasi I mora këto të dhëna për Kopanicën, ajo që më la mbresa të veçanta, është fakti se në këtë vendbanim, që nga kohërat më të hershme këtu është kultivuar kënga burimore, e cila perms disa rapsodëve eminentë, po mbijeton. Dhe, pata kënaqësinë e veçantë që të gjendem në shoqërimin e tyre.

NË MESIN E RAPSODËVE TË HARRUAR NGA KOHA

Të gjendesh në mesin e këtyre rapsodëve të fisëm dhe plot fisnikëri, është nder i veçantë për mua. Por, për katandisjen e tyre në një gjendje fare të pashpresë për jetën dhe fatin e këngës sonë burimore, kjo nuk na falet kurrë e, sidomos nuk mund të amnistohet nga fajësia kasta e mendjemëdhenjve të krekosur me kollare rreth fytit, që marrin rroga të majme nga institucionet, e, këtë “lëndë të parë” për folklorin, etnografinë, letërsinë, historinë, kulturën, e k.m.r., ta lënë të shkërmoqet deri në zhbërje totale para syve tanë të lëbyrur. Turp! Turp! Turp!
Rapsodët e mëdhenj të f.Kopanicë e komunës Jegunoc, ruajnë në “kasafortat” e tyre të “blinduara” me qindra e qindra këngë të zhanreve të ndryshme, e të cilat i këndojnë me një stil të veçantë të nënqiellit të Pollogut e të Dervenit. Janë këta, Dehar Emurllahi, Tahir Vejseli, Remzi Emurli, Nuri Emurllahi, etj. Lum ai që ka patur fatin e beftë e të ketë dëgjuar këngët e tyre epike, historike e lirike në periudhën e viteve 70-ta…! Fati jonë i padiskutueshëm është edhe fakti që, akoma i kemi shëndoshë e mirë në mesin tonë. Edhe pse të lodhur nga idarja e jetës hilexhie, ata gjejnë forcë e kurajo për dashamirët që të “rrëfehen” e të shpalosin arkat e tyre me pajën e pafund të këngëve folklorike e rapsodike. Zoti u dhashtë jetë të gjatë e të shëndetshme, kurse kopanicasve – rrugëtim të mbarë drejt shtigjeve më relaksuese të jetës, sepse ajo herë-herë duket se ka një sens shumë të keq humori…

Dehar Emurllahi Tahir Vejseli Remzi Emurli

Comments