
Koreja Veriore ka kërcënuar me sulm bërthamor në zemër të Shteteve të Bashkuara, nëse kjo e fundit tenton ta rrëzojë Liderin e saj Suprem, Kim Jong Un, shkruan agjencia shtetërore e lajmeve e Veriut, KCNA.
Ky kërcënim erdhi si kundërpërgjigje ndaj komenteve të drejtorit të CIA-s, Mike Pompeo, i cili javën e kaluar tha se Administrata Trump duhet të gjejë një mënyrë për ta ndarë Kimin nga rezervat e tij në rritje bërthamore.
“Sa i përket regjimit, kam shpresë se do ta gjejmë një rrugë për ta ndarë atë regjim nga ky sistem,” pati thënë Pompeo.
Ndërsa një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Koresë Veriore ka thënë: “Nëse SHBA guxon të tregojë madje edhe shenjen më të vogël të tentimit për ta rrëzuar lidershipin tonë suprem, ne do të godasim mu në zemër të SHBA-së me çekanin tonë të fuqishëm bërthamor.”