Kos: Ballkani Perëndimor i përket BE-së me të drejtë të plotë

111

Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor, deklaroi sot komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, duke theksuar se vendet e rajonit e kanë vendin e tyre në Bashkimin Evropian si anëtare me të drejta të plota.

Duke folur në Tiranë, në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor kushtuar Planit të Rritjes, Kos tha se siguria është një nga temat më të rëndësishme të ditës.

“Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor.”

Ajo theksoi se BE-ja duhet të korrigjojë gabimet e së kaluarës dhe të ecë përpara drejt integrimit të rajonit.

“Evropa ju pret. Ju tashmë jeni pjesë e Evropës, por tani kjo duhet të realizohet edhe institucionalisht – përmes anëtarësimit në BE.”

Duke folur për zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Kos tha se ka arsye për të festuar, por edhe sfida serioze.

Sipas saj, dy nga gjashtë vendet e rajonit ende nuk i kanë nisur reformat, ndërsa dy vendet më të avancuara kanë arritur vetëm rreth 50 për qind të tyre.

Këto shembuj – u shpreh ajo – tregojnë qartë lidhjen direkte mes reformave dhe përparimit në procesin e anëtarësimit.

Komisionerja shtoi se është e rëndësishme që vendet e rajonit të integrohen sa më shumë në politikat e BE-së: në tregun e vetëm, në tregun e energjisë, si dhe në fushat që lidhen me vlerat evropiane.

“Ne duam që BE-ja të bëhet realitet për qytetarët tuaj – të sjellë prosperitet, siguri dhe stabilitet në të gjithë kontinentin.”

Ajo theksoi se BE-ja dëshiron që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin përpara dhe asnjë të mos mbetet pas.

“Ju takoni në BE si anëtarë me të drejta të plota. Kjo kërkon përshtatje të plotë me ligjet dhe vlerat evropiane.”

Kos theksoi se periudha e dytë e zbatimit të Planit të Rritjes është vendimtare dhe se vendet duhet të fokusohen në projekte për transportin, infrastrukturën, inovacionin digjital, mbrojtjen e konsumatorit dhe zhvillimin e turizmit.

Megjithatë, ajo ngriti alarmin për mungesën e progresit në integrimin ekonomik rajonal, që sipas saj ul ritmin e rritjes ekonomike.

“Një treg i përbashkët rajonal do të rriste ekonomitë e vendeve të rajonit me rreth 10 për qind.”

Kos pranoi se reformat nuk janë të lehta, por theksoi se ato janë çelësi i përshpejtimit të rrugës drejt anëtarësimit në BE.

Në fund, ajo u bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të përgatisin ekonomitë e tyre për tregun e vetëm evropian:

“Tregoni se jeni gati për integrim më të thellë në BE.”

Comments