Kosova do ta provoj edhe njëherë anëtarësimin në UNESCO
Kosova është duke i bërë të gjitha përgatitjet për të kandiduar sërish për anëtarësim në Agjencinë për Kulturë, Shkencë dhe Arsim të Kombeve të Bashkuara (UNESCO), konfirmojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, shkruan Radio Europa e Lirë.
Ndonëse ende nuk është konfirmuar ndonjë afat konkret se kur do të ndodhë kandidimi i Kosovës në këtë agjenci të Kombeve të Bashkuara, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Valon Murtezaj, thotë për Radon Evropa e Lirë, se institucionet e Kosovës janë duke punuar në dy linja, duke forcuar koordinimin brenda institucioneve të Kosovës, por edhe koordinimin me faktorë të jashtëm, që kanë përvojë të madhe në fushat që i mbulon UNESCO, prej të cilave përvoja Kosova mund të mësojë.
“Institucionet e Republikës së Kosovës, Ministria e Jashtme, por edhe ministritë tjera që ndërlidhen me fushat që UNESCO i mbulon, janë duke bërë përparime në kuptimin e hartimit të dokumenteve shtesë qoftë legjislative apo strategjike, në mënyrë që të adresojë çështjet që lidhen me fushën e veprimtarisë të UNECO-s. Do të thotë, siç janë: kultura, trashëgimia kulturore, aspektet e edukimit, të komunikimit në përgjithësi, të diversitetit etj. Pra, në këtë kuptim, Qeveria e Republikës së Kosovës është duke punuar”, thotë Murtezaj.
Kandidimi i Kosovës për UNESCO, vitin e kaluar, ishte kundërshtuar mjaft fuqishëm nga Serbia, me pretendimin se Kosova dëshiron ta tjetërsojë dhe përvetësojë trashëgiminë kulturore dhe historike serbe në Kosovë. Në këtë pikë, kundërshtime ndaj anëtarësimit të Kosovës në UNECO, kishte bërë edhe Kisha Ortodokse Serbe.
Më 9 nëntor të vitit 2015, Konferenca e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), nuk votoi në favor të pranimit të Kosovës në këtë organizatë. Kosova nuk arriti të sigurojë votat e më shumë se dy të tretave të vendeve anëtare të kësaj organizate, të cilat ishin të nevojshme për pranimin e saj në UNESCO.