Kosova zhvilloi ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve në këtë edicion, dhe mori një barazim të vlefshëm, si dhe me plot meritë, në transfertë ndaj Azerbajxhanit.
Ndeshja që u mbyll pa gola, në përgjithësi ishte e qetë, dhe pa raste të pastra shënimi.
Në pjesën e parë, loja u përqendrua më shumë në mesfushë, dhe vetëm në fundin e saj, dy tentativa nga Celina dhe Muriqi, i futën frikën azerëve, por gjithsesi nuk patën shënjestrën e duhur.
Në të dytën, ishin vendasit që patën më shumë iniciativë, dhe provuan më shumë drejt portës së Ujkanit, por në fund, rrjeta mbeti e paprekur.
Kosova merr kështu pikën e parë, ndërkohë që në Grupin 3 në Ligën D, gjenden edhe Malta e Ishujt Faroe.
Ndeshjen e ardhshme, “Dardanët” e luajnë ndaj Ishujve Faroe, ditën e hënë, më 10 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.