Kosova e Turqia diskutojnë për rritje bashkëpunimi në shëndetësi

181
fresco

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani i shoqëruar nga zëvendësministri Kadir Hyseini, ambasadori i Kosovës në Ankara, Avni Spahiu dhe U.D. Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së, Ardian Mehmetaj, është pritur sot në Ankara nga ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Rexhep Akdag.

Takimi është realizuar në vazhdën e takimeve gjatë vizitës studimore që po zhvillon delegacioni kosovar në Ankara-Turqi, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Pas takimit që kanë pasur ministrat, është mbajtur konferencë për media, ku është prezantuar qëllimi i takimit të tyre, dhe vizitës që po bënë delegacioni kosovar në Ankara.

Ministri Rrahmani ka shprehur ngushëllime për Qeverinë turke dhe familjarët e viktimave të shkaktuara nga akti terrorist në Stamboll.

Rrahmani tha se, “qëllimi kryesor i vizitës sonë në shtetin mik, është njohja për së afërmi me eksperiencën dhe zhvillimet e fundit në shëndetësinë e Turqisë si dhe të diskutohen mundësitë për rritjen e bashkëpunimit në mes dy vendeve në fushën e shëndetësisë”.

Ministri Akdag tha se bashkëpunimi dhe përkrahja për popullin e Kosovës nuk do të mungojë asnjëherë nga Qeveria e Turqisë, si në ngritjen e kapaciteteve profesionale shëndetësore, infrastrukturore, por edhe me forma të tjera të cilat do të shihen në të ardhmen si të nevojshme për të bërë përparimin e duhur në fushën e shëndetësisë.

Ndryshe, vizita studimore e delegacionit kosovar është zhvilluar në nivel qendror dhe lokal, ku është marrë modeli i skemës së performancës bazuar në nivel qeveritar me kontraktues, janë bërë vizita në një qendër të mjekësisë familjare, ku janë përfshirë diskutimet me ofruesit në skemë, është vizituar Drejtoria e Shëndetësisë Provinciale, qendrat komunitare të shëndetit, të cilat janë përgjegjëse për procesin e verifikimit / auditimit lidhur me pagesat e performancës, etj. të cilat rezultate do të shërbejnë si model për të zbatuar në Kosovë.

Comments