Kosova i dorëzoi tekstet e Abetares për fatosat shqiptarë në Mal të Zi

434
fresco

Në kuadër të përpjekjeve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për të siguruar tekste shkollore për shqiptarët në Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës, zv/ministri i Arsimit, Agim Berdyna, në Ulqin tekstet e Abetares për fatosat shqiptarë në Mal të Zi ia dorëzoi kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Genci Numanbegut, i cili njëherit është edhe deputet në Kuvendin e Malit të Zi, transmeton Koha.net.

Me këtë rast, Berdyna është shprehur se Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Arsimit, do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e arsimit shqip në Mal të Zi dhe treva të tjera ku jetojnë shqiptarët jashtë kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë dhe se ky njëherësh është edhe obligim moral e kushtetues i dy shteteve tona.

“Ndjehem i privilegjuar që kam rastin t’ua dorëzoj tekstet e Abetares dhe uroj që nxënësit të kenë sukses në jetë, ndërsa ne si Ministri e Arsimit, në forma të ndryshme do të vazhdojmë t’ju mbështesim në vazhdimësi në përmbushjen e objektivave që keni në fushën e arsimit shqip të brezave të rinj në trevat tuaja”, tha zv/ministri Berdyna.

Ndërkaq, Numanbegu ka falënderuar MAShT-in për mbështetjen e vazhdueshme, për të shtuar se shqiptarët e Malit të Zi jo vetëm tash që do të marrin tekstin e Abetares, por mbështetja vazhdon edhe përmes ndarjes së kuotave për studentët në Universitetet Publike të Kosovës.

Comments