Ndërkohë që Komisioni Evropian ka njoftuar ndarjen e qindra miliona eurove për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Kosova mbetet e vetmja që nuk ka marrë ende asnjë cent nga pjesa që u takon vendeve pjesëmarrëse në këtë program.
Sipas Mekanizmit për Reforma dhe Rritje (Reform & Growth Facility), disbursimet financiare mund të realizohen vetëm pasi marrëveshjet për grante dhe hua të nënshkruara hyjnë zyrtarisht në fuqi. Sipas vendimit më të fundit të Komisionit Evropian, Shqipëria do të përfitojë 99.3 milionë euro, Mali i Zi 8.1 milionë euro dhe Maqedonia e Veriut 16 milionë euro, në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Si pasojë e bllokadës paszgjedhore, Kuvendi nuk mund ta ratifikojë marrëveshjen dhe për pasojë mbetet jashtë listës së vendeve që kanë pranuar fondet. Çdo marrëveshje ndërkombëtare që krijon detyrime financiare duhet të ratifikohet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.
Një gjë të tillë e konfirmoi edhe një zyrtar i Bashkimit Evropian për “FrontOnline”, i cili sqaroi se vonesa lidhet drejtpërdrejt me mungesën e ratifikimit të Marrëveshjes nga Kuvendi. “Ky vendim nuk e mbulonte Kosovën, pasi Kosova nuk e ka dorëzuar zyrtarisht raportimin e saj. Mungesa e raportimit formal është pasojë e mos ratifikimit të Marrëveshjes së Lehtësimit’’, tha zyrtari i BE-së.
Rregullorja e BE-së përcakton se vendet përfituese duhet të dorëzojnë kërkesë për pagesë dy herë në vit, pas përmbushjes së kushteve reformuese të dakorduara. Në tetor, Komisioni miratoi ndarjen e fondeve vetëm për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Përjashtimi i Kosovës nga vala e përfituesve të fondeve nuk po i shqetëson fare zyrtarët e qeverisë në detyrë të kryeministrit Kurti. Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, pati qëndrime kontraverse mbi këtë çështje rreth pesë muaj më parë, duke deklaruar se, edhe në rast se fondet e BE-së nuk disbursohen, “buxheti i Kosovës në asnjë moment nuk vihet në vështirësi.”
“Buxheti i Kosovës është substancial dhe vonesat që janë shkaktuar si rezultat i mosvotimit të krijimit të institucioneve, në asnjë moment nuk e vendosin buxhetin e Kosovës në vështirësi nëse fondet nga ana e BE-së nuk pranohen.”
Nga plani i BE-së, që synon të përshpejtojë integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian dhe të nxisë zhvillimin përmes investimeve strategjike, Kosova do të përfitonte rreth 950 milionë euro – një shumë që për vendin më të varfër në Evropë përbën një infuzion financiar të jashtëzakonshëm.
Nga shuma totale prej 6 miliardë euro të ndara për vendet e Ballkanit Perëndimor, rreth 3 miliardë euro në formë kredish afatgjata do të shërbejnë për forcimin e buxheteve kombëtare, ndërsa 3 miliardët e tjera do të shpërndahen përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Brenda kësaj kornize, 2 miliardë euro janë parashikuar si grante dhe 1 miliard euro si kredi.
Shqipëria do të marrë këstin e parë prej 99.3 milionë eurosh, nga të cilat 46.2 milionë euro do të kalojnë në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të financojë projekte infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Mali i Zi do të përfitojë këstin e dytë prej 8.1 milionë eurosh, me 3.8 milionë euro të destinuara për buxhetin e shtetit dhe pjesën tjetër për infrastrukturë. Maqedonia e Veriut do të marrë këstin e dytë prej 16 milionë eurosh, nga të cilat 7.4 milionë euro do të kalojnë në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për projekte infrastrukturore.

