Kosova ka buxhet për ushtri moderne


Gjenerallejtënanti Rrahman Rama, ka thënë se Kosova i ka kapacitetet për të themeluar ushtrinë sipas standardeve të NATO-s
Udhëheqësit e FSK-së kanë thënë se shndërrimi i FSK-së në Forcë të Armatosur do të bëhet në përputhje me standardet e NATO-s, si një “ushtri moderne me kapacitete të plota”.
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka thënë për REL se Kosova i ka kapacitetet e mjaftueshme për të themeluar ushtrinë sipas standardeve të NATO-s.
Sipas tij, Kosova në të ardhmen do ta ketë ushtrinë e saj me të gjitha kapacitet operacionale.
Zyrtarë nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë thënë se kjo Forcë, tashmë ka realizuar gjithë programin e saj dhe është e gatshme për transformim të mëtejmë.
Drejtori i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun, Ibrahim Shala në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ka thënë për REL se Kosova ka mundësi që ta ketë një ushtri moderne dhe të pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme.
Por, jo të gjithë shprehin mendimin për kapacitetet që FSK-ja mund të ketë për shndërrim në Forcë të Armatosur. Analisti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Naim Maloku ka thënë se është skeptik kur bëhet fjalë për një ushtri të fortë dhe të armatosur rëndë. Sipas tij, Kosova nuk ka buxhet të mjaftueshëm.
Megjithatë, Maloku është shprehur se integrimi i Kosovës në NATO, nuk kushtëzohet me fuqinë ushtarake të një shteti. Ai konsideron se ka shtete evropiane që nuk janë të fuqishme ushtarakisht dhe janë pjesë e NATO-s, raporton REL.
Megjithëkëtë, formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, thonë njohës të rrethanave të sigurisë, mbetet i ndërlidhur me “vendimet politike”.
Për shndërrimin e FSK në FAK, nevojiten edhe ndryshimet kushtetuese në lidhje me këtë transformim. Kuvendit do t’i nevojiten dy të tretat e votave, përfshirë edhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e pakicave, çka nënkupton arritjen e një konsensusi paraprak politik me subjektet nga radhët e komuniteteve pakicë.