Kosova në pritje të vizitës së nënpresidentit amerikan Joe Biden

99


Moebel THEMA

Kosova po bën të martën përgatitjet për vizitën e nënpresidentit amerikan Joe Biden. Flamujt amerikanë dhe ata të Kosovës janë vënë gjithandej rrugëve nga do të kaloje nënpresidenti amerikan i cili në Kosovë shihet si një nga mbështetësit e fuqishëm të lirisë dhe pavarësisë së saj. Udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë e kanë cilësuar vizitën me rëndësi historike.

Kryeministri Isa Mustafa i tha të martën Zërit të Amerikës se kjo vizitë është jashtëzakonisht e rëndësishme për Kosovën dhe rajonin.

Ne do të bëjmë përpjekje që nënpresidentin Biden ta njoftojmë me ecuritë aktuale në Kosovë, të kërkojmë po ashtu që bashkërisht edhe më tutje t’i shtyjmë proceset që janë të rëndësishme jo vetëm për Kosovën por edhe rajonin por edhe miqësinë dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne, Shtetet e Bashkuara i shohim partnerin më të rëndësishëm strategjik për Republikën e Kosovës, është vendi i cili në të gjitha fazat e ka përkrahur dhe ndihmuar edhe shtetin e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Vizita e nënpresidentit Biden e gjen Kosovën në një periudhë tensionesh për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Kjo çështje mund të zërë vend në takimet e tij në Prishtinë ku pritet që të diskutohet edhe përballja me ekstremizmin e dhunshëm si një sfidë në nivel botëror, por edhe me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Nënpresidenti Biden që vjen në Kosovë nga Beogradi pritet të nxisë përshpejtimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, si kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.

Shtetet e Bashkuara luajtën rolin kryesor në fushatën e bombardimeve të NATO-s që çuan në përfundimin e luftës në Kosovë dhe në proceset politike që çuan në pavarësinë e saj e cila vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi.

Nënpresidenti Biden do të marrë pjesë të mërkurën në ceremoninë e emërimit të një rruge me emrin e dalit të tij të ndjerë Joseph “Beau” Biden. Rruga që do të mbajë këtë emër çon në Bondstell në kampin e disa qindra trupave amerikane që vazhdojnë të shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë.

Kjo do të jetë edhe një nga rrugët që mbajnë emrat e personaliteteve amerikane, një formë kjo me të cilën në Kosovë shprehet mirënjohja për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën rolin e të cilave e cilësojnë të pazëvendësueshëm në të gjitha proceset politike.

Comments