PDK-ja kërkon sërish shtyrjen e seancës për 20 ditë. Debate të ashpra në Kuvend ndërmjet kreut të PDK-së, Kadri Veselit dhe Albin Kurtit të Vetvendosjes
Ka dështuar edhe seanca e gjashtë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, edhe pse të pranishëm kanë qenë të 94 deputetët e ka pasur kuorum për të vijuar punimet e rregullta. Pas një minute heshtje në nderim të ish-kryeministrit të ndjerë të Kosovës, Bajram Rexhepi, i pari e ka marrë fjalën zv/ kryetari i PDK e përfaqësuesi i PAN-it, Enver Hoxhaj, i cili ka kërkuar më shumë kohë për të caktuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit, pasi koalicionit fitues i ka munguar shumica prej 61 deputetësh për ta zgjedhur. I pyetur nga kryesuesi i seancës konstituive Adem Mikullovci sa kohë i duhet Enver Hoxhaj u shpreh: Na duhet një afat kohor më pak se 2 javë e më shumë se 10 ditë.
Në replikë Mikullovci u përgjigj: Ju jeni ata që po bllokoni? Kush jeni ju me çfarë të drejte? “Si koalicion që ka të drejtë për të propozuar kryeparlamentarin, pra si një hap i parë dhe pastaj me nënkryetarët, ne kemi kërkuar kohë këto javët e fundit, por në fund të fundit jemi në politikë dhe në politikë funksionojnë gjërat ashtu siç kanë të drejtë. Ne kemi të drejtë ta propozojmë kryeparlamentarin. Ne kandidatin e kemi, por nuk e kemi shumicën parlamentare”, iu kundërpërgjigj Hoxhaj. Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, koalicioni PAN e ka të drejtën e propozimit për kryetarin e Kuvendit. Pa zgjedhjen e kryeparlamentarit, nuk mund të bëhet asnjë hap tjetër drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.
PAN-it do t’i duhen të paktën 61 vota për zgjedhjen e kryetarit, e duke qenë se ato nuk ka arritur t’i sigurojë, shpresat tani varen tek një marrëveshje me AKR-në e Bexhet Pacollit, edhe pse nuk dihet ende me saktësi se çfarë qëndrimi do të mbajë ai. Ajo që nuk i pëlqen as AKR-së e as partive të tjera është përzgjedhja e PAN-it për kreun e Kuvendit, Kadri Veseli. Albin Kurti i kërkoi hapur koalicionit fitues të zgjedhjeve të propozojë një kandidat tjetër. Përfaqësuesi i LAAsë, Avdullah Hoti deklaroi sërish se për gjetjen e zgjidhjes duhet marrë në konsideratë mundësia e dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Gazeta Ekspress raporton se Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, deputeti më i vjetër, Adem Mikullovci, po zotohet se nuk do të procedojë më me datë për vazhdimin e seancës konstituive edhe nëse PAN e kërkon këtë gjë. Mikullovci theksoi për Gazetën Express, se duhet të mblidhen partitë dhe të diskutojnë për koalicione të reja, në mënyrë që ai ta thërrasë seancën e re. Thotë se përveç tij, askush nuk mund të thërrasë seancë konstituive. “Nuk ka të drejtë askush pos meje të thërras seancë.
Unë nuk thërras seancë deri sa partitë të mblidhen e të diskutojnë si dhe të bëhen koalicionet e reja, prishjet, dhe të bëhen gati për ta vazhduar seancën”, ka thënë ai. Mikullovci tutje theksoi, se menjëherë pas përfundimit të seancës, është mbledhur kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje, për të gjetur zgjidhje rreth sigurimit të 61 deputetëve për ta proceduar në Kuvend, emrin e kandidatit nga ky subjekt për krye parlamentar.
“Unë i kam thënë VV’së se ata patën mbledhje, dhe unë isha pjesë e kryesisë, ata tash po mundohen pasi Kadri Veseli tha bëni 61 votë dhe Kuvendi është i juaji. Ata tash po mundohen që t’i bëjnë numrat. Kur t’i bëjnë numrat e të thërrasin seancë. Unë kur të merrem vesh vetëm më VV’në dhe ata që bëjnë koalicion. Nuk e di se me kë po dëshiron të bëjë VV’ja koalicion”, ka sqaruar Mikullovci.
E ndërkohë pas deklarimeve të koalicionit PAN se nuk i kanë numrat, si dhe polemikat në mes të këtij të fundit dhe zyrtarëve të VV’së, kryesuesi i saj, deputeti Adem Mikullovci e ndërpreu atë, duke thënë se do t’i njoftojë me kohë deputetët për vazhdimin e saj. Kriza e mos zgjedhjes së kreut të Kuvendit po vazhdon që prej tre gushtit në Kosovë.