Përpjekja e 58-të për konstitutim të Kuvendit rezultoi pjesërisht e suksesshme. Në seancën e djeshme ishin të pranishëm edhe ambasadorë e përfaqësues të tjerë të misioneve diplomatike.
Dimal Basha u zgjodh kryetar me votat e partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje dhe të dy partive tjera të mëdha shqiptare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Sikurse këto dy parti PDK dhe AAK, ashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kritikuan përzgjedhjen e Bashkës për këtë pozitë, duke mos e konsideruar të denjë.
Basha pas zgjedhjes si Kryetar, mbajti edhe fjalim.
“Ky institucion është zemra e demokracisë sonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica dhe mbi besimin e përbashkët se liria dhe shteti ynë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica të panumërta, mbi gjakun, mundin dhe qëndresën e atyre që besuan se e ardhmja e kombit ishte më e rëndësishme se vet jeta e tyre”, tha ndër të tjera Basha.
Basha tha se pret që të bëhen bashkë ku e kërkon interesi kombëtar, pavarësisht dallimeve.
“Në këtë Kuvend pres debat të hapur, por edhe respekt për njëri – tjetrin. Dua të shoh kritika, por edhe alternativa. Dua të shoh përballje politike, por gjithmonë të udhëhequra nga synimi i përbashkët për një Kosovë më të fortë, më të drejtë dhe më të zhvilluar”, ka shtuar ai, duke thënë se “Kosovën e kemi të përbashkët.”
Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala u zgjodhën nënkryetarë në një votim në pako.
Në pozitën e nënkryetares nga pakicat joserbe u zgjodh Emilja Rexhepi, për ta ndarë pozitën më vonë me rotacion me Fidan Jilltan dhe Artan Asllanin.
Megjithatë, procesi është bllokuar te votimi për nënkryetarin serb. Sllavko Simiq është propozuar tri herë nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – mirëpo nuk i ka marrë votat e nevojshme, 61 sosh.
Kryetari Basha ka konsideruar se emri i tij është shfrytëzuar, në përputhje me një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të disa ditëve më parë se një person nuk mund të kandidohet më shumë se tre herë. Lista Serbe ka insistuar se vendimi vlen për pozitën e kryetarit dhe jo për nënkryetarët.
Basha, më pas, e ka nisur një proces të propozimit me short të kandidatëve për nënkryetarin serb, por asnjëri nuk i ka marrë 61 votat e domosdoshme.
Shorti i ra dy herë deputetes Verica Qeraniq, e cila në të dyja herat nuk mori asnjë votë për, 55 kundër dhe 21 abstenime.
As deputeti i radhës, Stefan Kovaçeviq, të cilit i ra shorti për t’u votuar nuk mori votat e nevojshme për nënkryetar, pasi që nuk mori asnjë votë për, 48 kundër dhe 19 abstenime.
Votat e nevojshme për nënkryetar nuk mori as deputeti Nenad Rashiq, emri i të cilit u zgjodh me short. Për deputetin Rashiq, 55 deputetë votuan për, 1 kundër dhe 17 abstenuan. Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë kritikuar partitë e mëdha shqiptare pse kanë votuar kundër.
Disa njohës të çështjeve politike besojnë se procesi për konstituim të Kuvendit është jokushtetues pasi votimi për nënkryetarët nga pakicat nuk mund të ndahet, siç ka ndodhur në seancën e 26 gushtit.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhen të pesë nënkryetarët dhe më pas nis rrjedhja e afatit ligjor për formim të Qeverisë.
Seanca për finalizim të konstituimit do të vazhdojë të enjten në orën 11:00.
Votimi i ndarë për nënkryetarët e pakicave që po konsiderohet si shkelje, Emilija Rexhepi thotë se 13 vota i mori nga LDK’ja
26 Gusht 2025 | 23:32
Emilja Rexhepi ka falënderuar të gjithë deputetët që e votuan për nënkryetare të Kuvendit të Kosovës.
Derisa ka falënderuar kolegët e saj nga komunitetet joshumicë, Rexhepi falënderoi edhe deputetët e LVV-së, PDK-së, AAK-së, e LDK-së.
“Gjithashtu, faleminderit edhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (48 deputetë) dhe LDK-së (13 deputetë), si dhe atyre që nuk më votuan – deputetëve të PDK-së, Listës Serbe, AAK-së, Dudi Baljes dhe Adem Hodzhës”, është shprehur Rexhepi.
“Zëri ose qëndrimi juaj sot tregon se procesi demokratik është i gjallë, dhe detyra ime është të jem zëri i të gjithë qytetarëve”, thekson Rexhepi.
Krasniqi i prerë: Kurti nuk ka votë nga PDK’ja për kryeministër
26 Gusht 2025 | 22:36
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se kreu i VV’së, Albin Kurti, nuk e ka votën nga PDK-ja për kryeministër.
Krasniqi është shprehur i prerë në këtë qëndrim.
“Varet a konstituohet Kuvendi, dy mundësi janë këtu, përfundon konstituimi, hyjmë në afate kushtetuese. Unë i kam thënë z.Kurtit, urdhëro, dëshmoje që i ke 61 vota. A ka më e çuditshme se me thënë “unë i kam votat për kryeministër, por s’i kam votat kryetar Kuvendi, kjo s’ka ndodhur asnjëherë”, ka thënë Krasniqi.
Por, në pyetjen se a ka votë nga PDK-ja për kryeministër, a u shpreh se kjo s’mund të ndodh në asnjë mënyrë.
“Jo në asnjë mënyrë, ajo është punë që as që diskutohet. Do të thotë ka votë kundër”, ka deklaruar Krasniqi në Klan Kosova.
PDK sot votoi pro zgjedhjes së Dimal Bashës për Kryeparlamentar. Krasniqi është pyetur në lidhje me mundësinë që po përflitet për një bashkëpunim përtej këtij të sotmit.
“Spin doktorët kujdestarë ishin munduar të krijojmë një shpjegim krejtësisht jorealist. Kuptojeni, është krejt çka po shihni. Nuk ka prapavijë, nuk ka qëllime tjera. Është çka kemi thënë nga dita e parë, dhe e kemi mbajtur sot”, tha Krasniqi.
I pyetur konkretisht nëse ka ndonjë bashkëpunim mes PDK-së dhe LVV për zgjedhjet lokale, Krasniqi tha: “Absolutisht jo”.